Maria Corina Machado, politikania e njohur e opozitës venezuelase, është shpallur fituese e Çmimit Nobel për Paqen 2025.

Lajmi ka ardhur si një surprizë e madhe për të dhe reagimi i saj është regjistruar gjatë një bisede telefonike me ish-kandidatin presidencial Edmundo Gonzalez Urrutia.
Në një video të publikuar në X (ish-Twitter), shihet Urrutia duke folur në telefon, ndërsa Machado shprehet me emocion të madh: “Jam në shok, nuk mund ta besoj”.
Maria Corina Machado nuk mori pjesë si kandidate në zgjedhjet presidenciale të 28 korrikut 2024, pasi iu ndalua të kandidonte.
Megjithatë, ajo mbështeti kandidaturën e ish-diplomatit Edmundo Gonzalez Urrutia, duke u bërë pjesë e një koalicioni opozitar rrallëherë të bashkuar kundër presidentit aktual Nicolas Maduro.

Çmimi Nobel për Paqen vlerëson angazhimin e individëve dhe organizatave që kontribuojnë në promovimin e paqes, dialogut dhe drejtësisë ndërkombëtare.
Në rastin e Machado, komiteti ka theksuar punën e saj të palodhur për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe përpjekjet për një Venezuelë më të lirë dhe demokratike.
Ky lajm vjen në një moment të ndjeshëm për Venezuelën, ku situata politike dhe sociale mbetet sfiduese, ndërsa komuniteti ndërkombëtar vijon të monitorojë zhvillimet në vend.

Shumë analistë vlerësojnë se çmimi i Machado mund të forcojë imazhin e opozitës dhe të sjellë vëmendje të shtuar ndaj çështjeve demokratike në Venezuelë.
© SYRI.net