Presidentja peruane Dina Boluarte u shkarkua në orët e para të mëngjesit të së premtes, pas një procedure maratonë përpara parlamentit, në sfondin e një krize të thellë të sigurisë në vend.
“Shkarkimi i presidentes është miratuar”, njoftoi presidenti i Parlamentit, José Jerí, në përfundim të një seance shumë të shkurtër ku Dina Boluarte nuk mori pjesë, edhe pse ishte thirrur. Presidenti i Parlamentit pritet të marrë përkohësisht detyrën e kreut të shtetit deri në zgjedhjet e përgjithshme të prillit 2026.
Dhjetëra njerëz festuan para Parlamentit vendimin, duke valëvitur flamuj peruanë dhe duke mbajtur pankarta kundër presidentes 63-vjeçare. Me shkarkimin, Dina Boluarte humbet automatikisht imunitetin dhe tashmë përballet me mundësinë e proceseve gjyqësore që mund ta çojnë në burg.
Kryetarja e shtetit ishte thirrur në një seancë plenare që do të fillonte në orën 23:30 me orën lokale të enjten, sipas një rezolute të miratuar nga Parlamenti.
Forcat kryesore politike të Parlamentit njëdhomësh paraqitën të enjten pesë mocione për shkarkimin e saj. Katër prej tyre u miratuan gjatë mbrëmjes me shumicë votash.
Mocionet u mbështetën në akuzën për “paaftësi të përhershme morale” të presidentes për të ushtruar detyrën, sipas dokumenteve të lexuara në hapje të sesionit parlamentar.
Dina Boluarte erdhi në pushtet pas shkarkimit të presidentit Pedro Castillo, në një kontekst protestash të përgjakshme që lanë të paktën 50 të vrarë. Ajo ka përballuar nivele rekord të papëlqyeshmërisë.
Mandati i saj është njollosur edhe nga disa skandale, përfshirë aferën e njohur si “Rolexgate”, që lidhet me ora dhe stoli luksoze që ajo dyshohet se nuk i ka deklaruar, si dhe një rinoplastikë (operacion plastik në fytyrë) e kryer në korrik 2023, e mbajtur sekret ndonëse ligji e detyronte ta njoftonte Parlamentin.
Në javët e fundit, protestat kundër qeverisë janë shtuar në Lima, në përgjigje të një vale zhvatjesh dhe vrasjesh të atribuara krimit të organizuar./Bluewin - Syri.net
© SYRI.net