Autoritetet belge kanë zbuluar dhe shkatërruar një celulë të dyshuar terroriste që, sipas hetimeve, po planifikonte një sulm ndaj kryeministrit Bart De Wever. Prokuroria Federale e Belgjikës njoftoi se tre të rinj, të lindur në vitet 2001, 2002 dhe 2007, janë ndaluar gjatë një operacioni në qytetin e Antwerp-it.
Sipas mediave lokale, gjatë kontrollit në lagjen Deurne, hetuesit zbuluan një eksploziv artizanal që dyshohet se autorët kishin ndërmend ta montonin në një dron për të kryer sulmin. Përveç eksplozivit, autoritetet sekuestruan edhe një printer 3D dhe disa komponentë elektronikë.
“Ky operacion është pjesë e një hetimi për tentativë vrasjeje me motive terroriste dhe për pjesëmarrje në aktivitetet e një grupi terrorist,” thuhet në deklaratën zyrtare të Prokurorisë Federale, e cila nuk ka bërë të ditur emrin e grupit të përfshirë.
Prokuroria theksoi se rasti tregon nevojën për vigjilencë të vazhdueshme nga institucionet e drejtësisë, policisë dhe shërbimeve të inteligjencës përballë kërcënimeve terroriste.
Bart De Wever, nacionalist flaman, u betua si kryeministër i Belgjikës në muajin shkurt, pas disa muajsh negociatash të vështira që çuan në krijimin e një koalicioni qeverisës që e zhvendos vendin më djathtas në skenën politike. Ai është kryeministri i parë nga rajoni flaman që drejton Belgjikën.
© SYRI.net