Parlamenti Europian refuzon miratimin e marrëveshjes së BE-së me Mercosur

Parlamenti Europian refuzon miratimin e marrëveshjes së BE-së me Mercosur

19:28, 08/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Parlamenti Europian ka dhënë një sinjal të fortë kundërshtie ndaj marrëveshjes tregtare mes Bashkimit Europian dhe vendeve të Mercosur, duke refuzuar me një diferencë të ngushtë disa rreshta të një rezolute që mirëprisnin përfundimin e saj. Në votimin e zhvilluar të mërkurën në Strasburg, 269 eurodeputetë u shprehën kundër, ndërsa 259 votuan pro, duke treguar ndarjet e thella mbi këtë marrëveshje të shumëdebatuar.

Kundërshtarët argumentojnë se pakti, i arritur në dhjetor 2024 pas më shumë se 20 vitesh negociatash, rrezikon bujqësinë dhe bagëtinë evropiane, nxit shpyllëzimin dhe i hap rrugën kompanive shumëkombëshe. Eurodeputetja spanjolle Irene Montero deklaroi se marrëveshja “braktis sektorin parësor dhe dëmton mjedisin”, ndërsa theksoi se beteja politike për ta ndalur do të vazhdojë.

Nga ana tjetër, mbështetësit e saj theksojnë se marrëveshja, e cila do të krijonte një zonë tregtare të lirë me mbi 700 milionë banorë, është e domosdoshme për të forcuar konkurrueshmërinë e BE-së në raport me Kinën dhe për të diversifikuar partnerët tregtarë në një kohë kur SHBA po rrit barrierat tarifore.

Komisioni Evropian e ka dërguar tekstin për ratifikim në Këshill dhe më pas në Parlament, por mbetet e paqartë nëse procesi do të ecë pa pengesa. Kundërshtarët madje paralajmërojnë se do t’i drejtohen Gjykatës së Drejtësisë së BE-së për të kërkuar pezullimin e miratimit.

Rezultati i votimit konsiderohet si një paralajmërim politik: skepticizmi ndaj marrëveshjes së BE-së me Mercosur është më i madh se entuziazmi për ta përfunduar atë menjëherë. Votimi përfundimtar pritet të vendoset nga eurodeputetët deri në fund të vitit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco