Rusia akuzohet për “indoktrinim industrial” të fëmijëve ukrainas

Rusia akuzohet për “indoktrinim industrial” të fëmijëve ukrainas

14:37, 18/09/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Rusia po përdor të njëjtat parime të “shpëlarjes së trurit” ndaj fëmijëve ukrainas të deportuar, ashtu siç ka bërë me kompleksin e saj ushtarako-industrial, raportoi Euronews duke iu referuar hetimit më të fundit të Laboratorit të Kërkimeve Humanitare (HRL) të Universitetit Yale.

Raporti zbulon një “sistem të paprecedentë” për indoktrinimin e fëmijëve, të cilët që nga shkurti 2022 janë dërguar në të paktën 210 objekte brenda Rusisë dhe territoreve të pushtuara përkohësisht të Ukrainës. Ekspertët paralajmërojnë se numri i vërtetë është shumë më i lartë, pasi gjurmimi bëhet i pamundur pas futjes së fëmijëve në sistemin rus.

Në disa qendra, përfshirë “Qendrën Gjithë-Ruse për Fëmijë për Ndryshimin” në Krasnodar dhe “Qendrën e Patriotëve të Rinj Snigiri” pranë Moskës, fëmijët i nënshtrohen stërvitjes ushtarake, përdorimit të armëve dhe trajnimit me pajisje taktike. Postime të fundit në rrjete sociale i tregojnë ata duke mbajtur armë dhe duke u rreshtuar në njësi militare.

Zyrtarë ukrainas theksojnë se fëmijët detyrohen të marrin pjesë në këtë trajnim, ndëshkohen për mosbindje dhe madje kërcënohen me internim në spitale psikiatrike. Raporti tregon raste të abuzimit, rrahjeve dhe mbylljes në bodrume, ndërsa në territoret e pushtuara prindërit kërcënohen se do t’u merren fëmijët nëse nuk “sillen si rusë të bindur”.

Kievi e ka shpallur kthimin e fëmijëve vijë të kuqe në çdo negociatë për t’i dhënë fund luftës. Burime diplomatike thanë për Euronews se Rusia nuk i është përgjigjur listës me mbi 300 fëmijë të deportuar, të dorëzuar në qershor gjatë bisedimeve në Stamboll.

“Rrëmbimi i fëmijëve është moralisht i sëmurë. Për ne kjo nuk është thjesht një luftë për territorin, por për njerëzit tanë, për kthimin e fëmijëve tanë”, theksuan zyrtarët ukrainas.

Sipas hetimit të Yale HRL, përdorimi i aseteve shtetërore dhe presidenciale në këtë proces tregon përfshirjen e drejtpërdrejtë të qeverisë ruse në deportimin, “riedukimin” dhe militarizimin e fëmijëve ukrainas – një praktikë që autoritetet e Kievit e konsiderojnë krim të rëndë lufte

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco