Shqipëria ka abstenuar në votimin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara ku me shumicë dërrmuese u miratua një deklaratë e cila i hap rrugën krijimin e shtetit të Palestinës, dhe zbatimin e zgjidhjes me dy shtete, duke përjashtuar Hamasin nga pjesëmarrja politike.
Deklarata 7-faqëshe është rezultat i një konference ndërkombëtare në OKB në korrik, të organizuar nga Arabia Saudite dhe Franca, mbi konfliktin prej disa dekadash. Rezoluta mori mbështetjen e 142 vendeve, me 10 vota kundër dhe 12 abstenime.
Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli bojkotuan deklaratën, ndërsa Shqipëria abstenoi.
Kundër: Izraeli, SHBA-ja, Tonga, Palau, Nauru, Papua Guinea e Re, Paraguai, Mikronezia, Hungaria dhe Argjentina.
Abstenuan: Shqipëria, Kameruni, Republika Ceke, Kongo, Ekuadori, Etiopija, Fixhi, Guatemala, Moldavia, Maqedonia e Veriut, Samoa dhe Sudani jugor.
Deklarata angazhohet të ndërmarrë hapa të prekshëm, të kufizuar në kohë dhe të pakthyeshëm për zgjidhjen paqësore të çështjes së Palestinës dhe për zbatimin e zgjidhjes me dy shtete, si dhe për të arritur, përmes veprimeve konkrete dhe sa më shpejt të jetë e mundur, krijimin e një shteti palestinez të pavarur, sovran, ekonomikisht të qëndrueshëm dhe demokratik që jeton krah për krah, në paqe dhe siguri me Izraelin.
Deklarata gjithashtu dënon sulmet e kryera nga Hamasi ndaj civilëve më 7 tetor, sulmet e Izraelit ndaj civilëve në Gaza dhe infrastrukturës civile, si dhe rrethimin dhe urinë, të cilat kanë shkaktuar një katastrofë humanitare shkatërruese.
“Kjo Deklaratë përcakton një udhërrëfyes të vetëm për të realizuar zgjidhjen me dy shtete,” tha përfaqësuesi i Francës, duke folur gjithashtu në emër të Arabisë Saudite, teksa prezantoi tekstin e sotëm — të dy vendet bashkëkryesuan Konferencën. Ai vuri në dukje angazhimet kryesore të marra nga Autoriteti Palestinez dhe nga vendet arabe për paqe dhe siguri, duke shtuar se ky udhërrëfyes parashikon “një armëpushim të menjëhershëm në Gaza dhe lirimin e të gjithë pengjeve”. Ai përfshin gjithashtu krijimin e një shteti palestinez të qëndrueshëm dhe sovran, çarmatimin e Hamasit dhe përjashtimin e tij nga qeverisja në Gaza, si dhe normalizimin e marrëdhënieve mes Izraelit dhe vendeve arabe. “Më në fund, ai përfshin zbatimin e garancive kolektive të sigurisë që përfshijnë edhe Izraelin,” theksoi ai.
“Turp për ju,” tha përfaqësuesi i Izraelit përpara miratimit të këtij vendimi. “Kjo manovër politike pa kuptim zhvillohet ndërkohë që njerëz të pafajshëm mbahen me sytë e lidhur në tunelet e Gazës, të uritur, të torturuar, duke pritur,” shtoi ai. Ai e përshkroi deklaratën “të ashtuquajtur, të njëanshme” dhe Konferencën si “taktika procedurale dhe keqpërdorim të kësaj Asambleje” si dhe një “gjest bosh që dobëson besueshmërinë e saj”. “Kjo nuk është diplomaci, është teatër,” theksoi ai.
Përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara e përshkroi tekstin si “një manovër të gabuar, të papërshtatshme në kohë dhe të motivuar nga publiciteti”, që minon përpjekjet serioze diplomatike dhe si një “dhuratë për Hamasin”. Ajo shtoi se gjatë verës, negociatat për armëpushim dështuan “kur një nga shtetet organizatore të Konferencës inkurajoi qëndrimin e palëkundur të Hamasit duke shpallur synimin për të njohur një shtet hipotetik palestinez”. Sipas saj, vendi i saj do të vazhdojë “të udhëheqë përpjekjet reale për t’i dhënë fund luftimeve”, duke shtuar se teksti i sotëm gjithashtu mbështet të ashtuquajturën të drejtë për kthim, e cila do të nënkuptonte “vdekjen demografike të Izraelit”.
Ndërkohë, Vëzhguesi i Përhershëm i Shtetit të Palestinës theksoi se ky vendim përfaqëson paqen. Duke pranuar “dëshirën e pothuajse të gjithëve” për të hapur rrugën e opsionit të paqes, ai tha se Deklarata ofron një udhërrëfyes të detajuar për këtë. Ai ftoi “palën që ende po shtyn opsionin e luftës dhe shkatërrimit” të dëgjojë zërin e arsyes.
“Ata që duan të shpëtojnë jetë, ejani dhe bashkohuni me ne,” tha ai, duke shtuar se opsioni i paqes është për ata që duan t’i japin fund luftës në Gaza, për ata që duan lirimin e pengjeve dhe të burgosurve, për ata që duan të ndalojnë përdorimin e urisë kundër popullit palestinez në Gaza, për ata që duan të rindërtojnë dhe të rikonstruktojnë Rripin e Gazës. Ai është për këdo që kërkon një zgjidhje me dy shtete dhe që dëshiron t’i lejojë Lindjes së Mesme të arrijë potencialin e saj në zhvillim dhe bashkëpunim. Ndoshta ky është një ogur i mire” tha ai.
Delegati i Iranit tha se agresionet e përsëritura të Izraelit kundër vendeve të tjera kanë destabilizuar të gjithë rajonin. Ai bëri thirrje për një shtet sovran të Palestinës, “të mbështetur në vullnetin e vërtetë të banorëve të saj origjinalë — myslimanë, hebrenj dhe të krishterë — të shprehur përmes një referendumi të lirë dhe gjithëpërfshirës”.
“Pushtimi duhet të marrë fund,” tha delegati i Pakistanit, duke shtuar se ky është shkaku themelor i paqëndrueshmërisë në Lindjen e Mesme. Ai po ashtu dënoi agresionin e vazhdueshëm izraelit në Gaza, që ka marrë jetët e mbi 64,000 njerëzve, shkatërrimin e pamëshirshëm të infrastrukturës civile si dhe zgjerimin e vendbanimeve të paligjshme.
Vota vjen përpara një takimi të udhëheqësve botërorë më 22 shtator, të Asamblesë së Përgjithshme të nivelit të lartë të OKB-së, ku Britania, Franca, Kanadaja, Australia dhe Belgjika pritet të njohin zyrtarisht një shtet palestinez.
© SYRI.net