Kryeministri polak Donald Tusk ka njoftuar se gjatë natës hapësira ajrore e Polonisë është shkelur nga një numër “i madh” dronësh rusë.
Në një postim në rrjetin social X, Tusk tha: “Dronët që përbënin një kërcënim të drejtpërdrejtë u rrëzuan. Jam në komunikim të vazhdueshëm me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s dhe aleatët tanë.”
Kryeministri Tusk theksoi se rrëzimi i dronëve rusë mbi territorin polak ishte hera e parë që ndodh në territorin e një vendi anëtar të NATO-s.
“Ky është hera e parë që dronë rusë rrëzohen mbi territorin e një vendi të NATO-s. Të gjithë aleatët tanë e marrin situatën shumë seriozisht. Nuk ka pasur asnjë viktimë,” tha Tusk para një mbledhjeje urgjente të qeverisë. Ai shtoi se kjo ngjarje mund të jetë një “provokim i gjerë” nga ana e Rusisë.
Kërkimi për dronët vijon, por kryeministri siguroi se nuk ka arsye për panik dhe situata është nën kontroll. Forcat e armatosura polake kanë përfunduar tashmë operacionin ushtarak të nisur për shkak të shkeljes së hapësirës ajrore.
Lexo dhe: Sulmi rus me dronë mbi Poloni/ A ishte ky një test për vendosmërinë e NATO-s?
Aerportet, përfshirë aeroportin kryesor ndërkombëtar të Varshavës, Chopin, janë hapur përsëri për fluturime.
© SYRI.net