Qeveria e Nepalit ka vendosur të heqë ndalimin e mediave sociale, pasi vendimi i mëparshëm shkaktoi protesta masive kundër korrupsionit që u përplasën me policinë, duke lënë të paktën 23 persona të vdekur.
Vendimi erdhi pas një takimi urgjent të qeverisë të hënën në mbrëmje, pasi demonstratat nuk u ndalën as pas dorëheqjes së kryeministrit KP Sharma Oli. Protestuesit, të zemëruar nga akuzat për korrupsion dhe nepotizëm, dogjën disa godina shtetërore, përfshirë edhe ndërtesën e Parlamentit.
Shkak i zemërimit u bë një fushatë online e quajtur “nepo kid”, e cila ekspozoi jetën luksoze të fëmijëve të politikanëve. Si reagim, autoritetet ndaluan 26 platforma, përfshirë Facebook dhe YouTube, por vendimi ndezi më tej pakënaqësinë e mijëra të rinjve që dolën në rrugë.
Protestuesit mbanin pankarta me slogane si “mjaft më” dhe “fund korrupsionit”, ndërsa disa sulmuan me gurë edhe shtëpinë e ish-kryeministrit Oli në qytetin Damak. Në disa lagje të Katmandus është shpallur shtetrrethim, teksa tensionet mbeten të larta.
Një ministër i qeverisë tha për BBC se ndalimi u hoq për të “adresuar kërkesat e Gjeneratës Z” dhe për të shmangur përshkallëzim të mëtejshëm të situatës.
© SYRI.net