VIDEO/ Kryeministri donte të kufizonte lirinë e shprehjes, nepalezët djegin parlamentin, shtëpitë e ministrave dhe politikanëve

16:38, 09/09/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nepali po kalon ditë të paprecedenta trazirash, pasi vendimi i qeverisë për të mbyllur rrjetet sociale ndezi zemërimin popullor dhe çoi në protesta masive. Tubimet u kthyen në përplasje të përgjakshme me policinë, ku humbën jetën mbi 19 persona.

Dorëheqja e kryeministrit KP Sharma Oli nuk arriti të shuajë revoltën. Përkundrazi, protestuesit e zemëruar i vunë zjarrin ndërtesës së parlamentit dhe vandalizuan e dogjën shtëpitë e disa ministrave e politikanëve të lartë. Disa prej tyre, sipas burimeve, janë strehuar nën mbrojtjen e forcave të sigurisë.

Protestat janë spontane, pa një udhëheqje të qartë, dhe deri tani kërkesa e vetme e shprehur publikisht është ajo kundër korrupsionit dhe klasës politike në tërësi. Situata ka krijuar një vakum të rrezikshëm pushteti: me dorëheqjen e kryeministrit dhe me shumicën e liderëve politikë të fshehur, vendi duket se ka mbetur pa drejtim.

Shefat e sigurisë dhe burokratët po bëjnë thirrje për qetësi, ndërsa ushtria nepaleze, e respektuar në vend, mund të ndërhyjë për të vendosur rendin, edhe pse tradicionalisht kjo është detyrë e policisë.

Që prej shpalljes së Republikës në vitin 2008, Nepali ka ndryshuar 14 kryeministra, me krizat e vazhdueshme politike që kanë ushqyer pakënaqësinë dhe zhgënjimin e qytetarëve, sidomos të rinisë.

Në mungesë të një qeverie funksionale apo autoriteti tranzitor, e ardhmja e Nepalit mbetet e pasigurt – dhe ekziston frika se dhuna mund të marrë përmasa edhe më të rënda.

Situata po shihet si një revoltë e re ballkanizimi politik, e ngjashme me kryengritjet në Bangladesh e Sri Lanka, por me një veçori të rrezikshme: mungesën totale të besimit ndaj gjithë klasës politike.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco