Po shkonte në Gaza/ Anija me ndihma humanitare dhe aktivistë sulmohet në ujërat tuniziane, ishte dhe Greta Thunberg

Po shkonte në Gaza/ Anija me ndihma humanitare dhe aktivistë sulmohet në ujërat tuniziane, ishte dhe Greta Thunberg

10:20, 09/09/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Anija që po transporton aktivistë dhe ndihma humanitare drejt Gazës njoftoi gjatë natës se një nga anijet e saj u godit nga një mjet i dyshuar si dron, ndërsa ndodhej në ujërat e Tunizisë.

Sipas dëshmitarëve, një zjarr shpërtheu menjëherë pas goditjes, por u shua shpejt.

Anija e goditur është “Family Boat” ose “Familia Madeira”, anija kryesore e ekspeditës, e cila mban flamurin portugez dhe është 35 metra e gjatë. Aty ndodhen anëtarë të komitetit drejtues të flotiljes Global Sumud, mes tyre edhe aktivistja e njohur Greta Thunberg.

Pamjet e shpërndara në internet tregojnë një shpërthim dhe tym që ngrihet nga bordi i anijes, ndërsa dëgjohen thirrje “Zjarr, zjarr!”. Për fat të mirë, të gjithë pasagjerët dhe ekuipazhi kanë mbetur të padëmtuar.

Në një deklaratë zyrtare, organizatorët e flotiljes kanë theksuar se “aktet e frikësimit nuk do ta ndalojnë misionin humanitar” dhe se lundrimi drejt Gazës do të vazhdojë sipas planit. Aktivisti Thiago Avila deklaroi nga marina Sidi Bou Said:

“Tunizia është një vend sovran dhe ne e refuzojmë çdo sulm në territorin e saj. Misioni ynë humanitar nuk do të ndalet dhe asnjë kërcënim nuk do të na pengojë. Sytë tanë janë të drejtuar nga Gaza”.

Ndërkohë, autoritetet tuniziane mohojnë versionin e sulmit me dron. Sipas Gardës Kombëtare Tuniziane, hetimet paraprake tregojnë se zjarri shpërtheu nga jelekët e shpëtimit në bordin e anijes, e cila vinte nga Spanja dhe ishte e ankoruar rreth 50 milje larg portit Sidi Bou Said.

Megjithatë, Global Sumud Flotilla ka publikuar pamje nga kamerat e sigurisë në bordin e anijes që, sipas tyre, “konfirmojnë një sulm me dron”. Videot tregojnë një shkrepëtimë flake, shpërthim dhe panik mes ekuipazhit.

Konvoji humanitar, që përfshin aktivistë nga 44 vende, pritet të nisë sot nga Tunizia për t’iu bashkuar flotës që synon të çajë rrethimin e Gazës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco