Vajza e Elon Musk-ut, Vivian Wilson, ka deklaruar se është e varfër pasi i ka prerë publikisht marrëdhëniet me njeriun më të pasur në botë, duke zgjedhur të jetojë me tri shoqe dhome sepse “është më lirë.”
“Njerëzit mendojnë se unë kam shumë para. Nuk kam qindra mijëra dollarë në dispozicion,” tha 21-vjeçarja, modele aspirante, për The Cut në një intervistë të publikuar të martën.
“Mamaja ime është e pasur, Por tjetri [Musk]… ka pasuri në nivele të paimagjinueshme.”
“Nuk kam dëshirë të jem super e pasur,” shtoi ajo.
Musk ka një pasuri të vlerësuar rreth 413 miliardë dollarë.
“Mund të blej ushqimin. Kam miq, një strehë dhe disa të ardhura për shpenzime, që është diçka e këndshme dhe jam shumë më me fat se shumica e bashkëmoshatarëve të mi në Los Angeles.”
Wilson, më e madhja nga 14 fëmijët e Musk-ut, preu marrëdhëniet me babanë e saj në vitin 2022, kur paraqiti një peticion për të ndryshuar gjininë dhe emrin.
Që atëherë, Wilson e ka kritikuar vazhdimisht manjatin e teknologjisë në rrjete sociale, duke e quajtur një “burrë fëmijë patetik” që nuk ka pranuar gjininë e saj.
Musk, nga ana tjetër, ka pretenduar në intervista të kaluara se Wilson ishte “vrarë nga virusi woke” dhe se ishte “mashtruar” kur lejoi që ajo të bënte tranzicionin në moshën 16-vjeçare.
Megjithatë, Wilson e shfrytëzoi hapur përplasjen me të atin, duke i thënë revistës se gjëja më stereotipike për të ishte “problemet me babain.”
Në një pjesë tjetër të intervistës, Wilson foli për rritjen e saj në luks, duke vënë në dukje se kishte shkuar në një “shkollë private plot me fëmijë të të famshmëve,” përfshirë Apple-in, vajzën e Gwyneth Paltrow-t dhe Chris Martinit.
Ajo tha se kishte mësuar disa gjuhë, përfshirë kinezishten, japonishten, spanjishten dhe gjuhën koreane.
Pranoi gjithashtu se kishte ndjekur kolegjin në Kanada dhe Japoni përpara se të braktiste studimet, duke fajësuar inteligjencën artificiale për humbjen e “motivimit.”
Duke folur për famën e saj të re, Wilson, e cila tashmë ka një agjent dhe së fundmi u shfaq në kopertinën e Teen Vogue, tha se “nuk është shumë e zonja për të qenë e famshme.”
“Kam luftuar shumë dhe gjatë për të më parë si një person të zakonshëm. Kishte një moment pak para se të bëhesha e famshme kur askush nuk dinte kush isha. Ishte e mrekullueshme. Të gjithë më trajtonin si një person të zakonshëm. Më mungon kjo. Por gjithashtu më pëlqen të jem e famshme,” tha ajo.
“Mendoj se jam paksa indiferente lidhur me këtë. Por më pëlqen fakti që më sjell para.” / New York Post - Syri.net
© SYRI.net