Të paktën 60 persona kanë humbur jetën pas përmbysjes së një anijeje pasagjerësh në shtetin veri-qendror të Nigerisë. Lajmin e konfirmuan autoritetet lokale, të cilat raportojnë se numri i viktimave mund të rritet më tej pasi vijojnë kërkimet për të zhdukurit.
Anija me mbi 100 persona u nis nga qyteti Tungan Sule, në distriktin Malale, drejt qytetit Dugga, në rezervuarin Kainji. Sipas Agjencisë Shtetërore të Menaxhimit të Emergjencave të Nigerit, incidenti ndodhi pranë komunitetit Gausawa në Zonën e Qeverisjes Vendore Borgu, pasi mjeti lundrues u përplas me një trung peme të zhytur.
“Shkaku iu atribua mbingarkesës dhe përplasjes me një trung peme,” bëri të ditur media lokale Daily Trust, duke shtuar se mes pasagjerëve kishte edhe gra e fëmijë.
Abdullahi Baba Ara, kryetar i Zonës së Qeverisjes Vendore Borgu, tha se deri më tani janë konfirmuar mbi 60 viktima.
“Dhjetë persona janë gjetur në gjendje të rëndë dhe shumë të tjerë janë ende në kërkim,” deklaroi ai për agjencinë Reuters.
Operacionet e shpëtimit vijojnë, ndërsa autoritetet po përpiqen të identifikojnë trupat e pajetë dhe të shpëtojnë sa më shumë të mbijetuar.
© SYRI.net