Franca po përballet me një moment kritik, teksa pasiguria politike dhe rreziqet ekonomike po përplasen me njëra-tjetrën. Më 8 shtator 2025, kryeministri François Bayrou do t’i nënshtrohet një votëbesimi vendimtar, duke rrezikuar të pësojë të njëjtin fat si paraardhësi i tij Michel Barnier, i cili u rrëzua vetëm një vit më parë.
Në qendër të debatit qëndron plani i kursimeve buxhetore prej 44 miliardë eurosh, që synon uljen e deficitit nga 5.4% në 4.6% të PBB-së, por që ka ndezur kundërshtimin e opozitës dhe të sindikatave.
Ekonomia e dytë më e madhe e Evropës po tregon shenja të dobëta. Rritja e PBB-së ka mbetur nën 1% që nga fundi i vitit 2024, ndërsa borxhi publik ka arritur në 113% të PBB-së, me pagesat e interesave që janë më të lartat në një dekadë.
Analistët paralajmërojnë se mungesa e stabilitetit politik mund të ngadalësojë më tej prodhimin dhe të dëmtojë besimin e investitorëve. Federata e biznesit Medef ka ngritur alarmin për “ngrirjen e investimeve, humbjen e besimit dhe rrezikun e falimentimeve masive”.
Pavarësisht kësaj, disa ekspertë si Jérémie Peloso nga BCA Research theksojnë se institucionet franceze mbeten të forta dhe se recesioni i thellë është pak i mundshëm. Por rritja e mundshme e kostove të huamarrjes dhe rreziku i uljes së vlerësimit të kreditit nga agjencitë ndërkombëtare e shtojnë presionin mbi qeverinë.
Nëse Bayrou humbet votëbesimin, presidenti Emmanuel Macron do të duhet të emërojë një kryeministër të ri, duke zgjatur krizën politike që ka penguar çdo përpjekje për konsolidim fiskal.
Analistët presin që pasiguria të zgjasë deri në zgjedhjet presidenciale të vitit 2027, duke e shtyrë borxhin francez përtej 120% të PBB-së dhe duke lënë ekonominë në një terren të brishtë.
Franca ndodhet përballë një zgjedhjeje të vështirë: ose të përballojë hidhur masat shtrënguese për të frenuar borxhin, ose të rrëshqasë drejt një spiraleje të re krize politike dhe financiare./ Euronews - Syri.Net
© SYRI.net