Në një deklaratë zyrtare, Hamasi njoftoi se është gati të arrijë një marrëveshje gjithëpërfshirëse për t’i dhënë fund luftës dhe për të liruar të gjithë pengjet izraelite.
“Jemi të gatshëm të pranojmë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, sipas së cilës të gjithë të burgosurit armiq që mbahen aktualisht, do të lirohen, në këmbim të një numri të rënë dakord të të burgosurve palestinezë të mbajtur nga Izraeli, si pjesë e një mirëkuptimi që do të çojë në fund të luftës në Rripin e Gazës”, – shkroi Hamasi në një deklaratë.
“Kjo marrëveshje do të përfshijë: tërheqjen e plotë të forcave pushtuese nga i gjithë Rripi; hapjen e kalimeve për hyrjen e të gjitha mallrave dhe nevojave të popullsisë; dhe fillimin e një procesi rindërtimi. Për më tepër, lëvizja përsërit gatishmërinë e saj për të formuar një qeveri të pavarur kombëtare të përbërë nga teknokratë, e cila do të menaxhojë në mënyrë gjithëpërfshirëse punët e Rripit të Gazës dhe do të marrë menjëherë të gjitha përgjegjësitë në të gjitha fushat.
Ne ende po presim përgjigjen e Izraelit ndaj propozimit të paraqitur nga ndërmjetësit më 18 gusht, një propozim i cili u pranua nga lëvizja dhe fraksionet palestineze” – shkruan Hamasi.
Ndërkohë Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka refuzuar kërkesën e presidentit francez Emmanuel Macron për të vizituar Izraelin, në prag të njohjes nga Parisi të Shtetit Palestinez. Lajmin e raporton televizioni publik Kan, sipas të cilit Macron kishte planifikuar një vizitë të shkurtër në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku pritet që Franca t’i bashkohet shteteve të tjera perëndimore në njohjen e njëanshme të një shteti palestinez.
Megjithatë, Netanyahu ka vendosur si kusht për vizitën tërheqjen e iniciativës nga Macron, një kërkesë që presidenti francez e ka refuzuar. Ish-deputeti francezo-izraelit Meyer Habib i ka thënë Kan se Macron kohët e fundit kishte tentuar të shkonte në Izrael, por Netanyahu kishte refuzuar kërkesën e tij.
“Macron i dërgoi një mesazh Netanyahu-t duke thënë se donte të vinte, por Netanyahu i përgjigj se, duke marrë parasysh rrethanat aktuale, nuk ishte momenti i duhur”, tha Habib.
© SYRI.net