VIDEO/ Tragjedi në Lisbonë: 15 të vdekur dhe 18 të plagosur nga dalja nga shinat e tramit ‘Gloria’

21:55, 03/09/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Të paktën 15 persona kanë humbur jetën dhe 18 të tjerë janë plagosur, pasi trami historik Gloria në Lisbonë doli nga shinat dhe u përplas mbrëmjen e së mërkurës, rreth orës 18:05, pranë rrugës kryesore ‘Avenida da Liberdade’.

Sipas autoriteteve të emergjencës portugeze, pesë nga të plagosurit ndodhen në gjendje të rëndë, ndërsa 13 të tjerë, përfshirë një fëmijë, kanë marrë lëndime më të lehta. Të gjithë personat që ishin bllokuar brenda vagonit janë shpëtuar nga ekipet e ndërhyrjes së shpejtë.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë mjetin e transportit të përmbysur dhe të dëmtuar rëndë, ndërsa tymi mbulonte zonën dhe njerëzit largoheshin në panik.

Gazeta lokale Observador raportoi se një prej kabllove e linjës është shkëputur, duke bërë që trami të humbasë kontrollin dhe të përplaset me një ndërtesë aty pranë. Hetimet janë ende në vazhdim dhe autoritetet lokale nuk kanë konfirmuar ende numrin përfundimtar të pasagjerëve në bord.

Në vendngjarje ndodhen 62 pjesëtarë të shërbimeve të emergjencës dhe 22 mjete ndihme.

Presidenti i Portugalisë, Marcelo Rebelo de Sousa, shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave, ndërsa edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dërgoi një mesazh solidariteti.

Trami Gloria është një nga atraksionet më të njohura të qytetit dhe pjesë e trashëgimisë urbane të Lisbonës që nga viti 1885. I përdorur nga vendasit dhe shumë i frekuentuar nga turistët, ai përshkon një distancë prej 275 metrash nga Restauradores drejt lagjes së njohur Bairro Alto, një udhëtim që zakonisht zgjat vetëm 3 minuta.

Tragjedia ndodhi në një periudhë me fluks të madh turistik në kryeqytetin portugez, në fund të sezonit veror.

Autoritetet kanë bërë të ditur se është ende herët për të nxjerrë përfundime, ndërkohë që hetimet janë në proces për të sqaruar rrethanat e plota të aksidentit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco