Pentagoni paralajmëron të tjera sulme kundër karteleve të drogës, Hegseth: Narko-terroristët do kenë të njëjtin fat

Pentagoni paralajmëron të tjera sulme kundër karteleve të drogës, Hegseth: Narko-terroristët do kenë të njëjtin fat

21:24, 03/09/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, tha të mërkurën (3 shtator) se operacionet ushtarake kundër karteleve të drogës do të vazhdojnë, duke shënuar nisjen e një fushate ushtarake në Amerikën Latine, edhe pse pyetjet bazë mbi një sulm vdekjeprurës ndaj një anijeje nga Venezuela mbeten ende pa përgjigje.

Ushtria amerikane vrau 11 persona të marten (2 shtator) pasi goditi një anije nga Venezuela që dyshohej se transportonte drogë, në operacionin e parë të njohur pas vendimit të presidentit Donald Trump për të vendosur anije luftarake në Karaibet jugore.

Pak dihet rreth këtij sulmi, përfshirë bazën ligjore mbi të cilën u krye ose se çfarë lloj droge kishte në bord, por Hegseth deklaroi se operacionet do të vazhdojnë: “Kemi mjete në ajër, në ujë, në anije, sepse ky është një mision tepër serioz për ne, dhe nuk do të ndalet vetëm me këtë sulm,” tha ai në Fox News. “Kushdo tjetër që trafikon në ato ujëra dhe që ne e njohim si narco-terrorist të shpallur, do të ketë të njëjtin fat.”

Ai refuzoi të jepte detaje mbi mënyrën se si u krye operacioni, duke thënë se ato janë të klasifikuara. Nuk dihet nëse anija u shkatërrua nga një dron, torpedo apo ndonjë mjet tjetër.

Pas sulmit, Trump deklaroi se ekuipazhi ishte identifikuar si pjesëtarë të bandës venezueliane Tren de Aragua, të cilën SHBA e shpalli organizatë terroriste në shkurt. Të mërkurën, në Zyrën Ovale, ai tha se “sasi të mëdha drogash” u gjetën në anije, pa specifikuar llojin apo sasinë.

“Kemi përgjimet e tyre duke folur. Ishin sasi masive droge që po hynin në vendin tonë për të vrarë shumë njerëz. Dhe këtë e kuptojnë të gjithë. Madje ju e shihni, thasët me drogë ishin kudo në anije,” tha Trump. “Sigurisht që ata nuk do ta bëjnë më. Dhe mendoj se shumë të tjerë nuk do ta bëjnë. Kur ta shohin atë video, do të thonë: ‘Mos ta bëjmë’ tha Trump

Pentagoni nuk ka dhënë detaje mbi ekuipazhin apo arsyet se pse zgjodhi t’i asgjësojë ata në bord.

Ekspertët e ligjit ndërkombëtar ngritën dyshime mbi ligjshmërinë e operacionit. Mary Ellen O’Connell, profesoreshë në Universitetin Notre Dame, tha se sulmi “shkelte parime themelore të së drejtës ndërkombëtare”, duke theksuar se SHBA nuk kishte të drejtë të vriste me dashje të dyshuarit.

“Maduro duhet të shqetësohet”
Vendimi për të sulmuar një anije të dyshuar me drogë në Karaibe, në vend që të sekuestrohej dhe ekuipazhi të arrestohej, konsiderohet shumë i pazakontë dhe rikujton luftën e SHBA-së kundër grupeve militante si al-Qaida.

SHBA ka dislokuar shtatë anije luftarake dhe një nëndetëse bërthamore sulmuese në Karaibet jugore, me mbi 4.500 marinsa dhe marinarë. Në Puerto Riko, marinsat kanë kryer stërvitje dhe operacione fluturimi.

Hegseth, duke iu referuar lidhjeve të Venezuelës me Kinën, deklaroi: “I vetmi që duhet të shqetësohet është Nicolas Maduro, i cili është në fakt një boss i një shteti narco-drogë.”

Trump e cilësoi Venezuelën si një “aktor shumë të keq”.

OKB shprehu shqetësim për përshkallëzimin e tensioneve mes SHBA-së dhe Venezuelës, ndërsa në Caracas ekziston frika se qeveria e Maduros mund të jetë objektivi i vërtetë. Muajin e kaluar, SHBA dyfishoi shpërblimin për kapjen e Maduros në 50 milionë dollarë, duke e akuzuar për lidhje me trafik droge dhe grupe kriminale.

Zyrtarët venezuelianë kanë deklaruar se ‘Tren de Aragua’ nuk është më aktiv në vend pas një operacioni policor në vitin 2023.

Trump publikoi një video në Truth Social që tregonte pamje të një skafi që shpërthente në det pas sulmit të së martës. Ministri i Komunikimit të Venezuelës, Freddy Nanez, tha se videoja ishte krijuar me inteligjencë artificiale.

Reuters bëri kontrolle fillestare mbi pamjet dhe nuk gjeti prova manipulimi, por theksoi se verifikimi i plotë është ende në proces. /Reuters/ 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Tags

Denonco