Në Novi Sad u shënua sot 10-mujori i tragjedisë së rrëzimit të ndërtimit mbi stacionin hekurudhor, ku humbën jetën 16 persona.
Organizatorët ftuan qytetarët që në orën 11:52 të mbanin 16 minuta heshtje, pikërisht në momentin kur ndodhi fatkeqësia. Gjithashtu, nga ora 19:00, nxënësit e shkollave të mesme do të mblidhen në kampusin e Universitetit të Novi Sadit për një aktivitet përkujtimor.
Ndërkohë, tensione janë regjistruar në Fakultetin e Sportit dhe Edukimit Fizik (DIF) në Novi Sad. Pak pas orës 08:00 është hequr banderola e studentëve, e varur prej muajsh, ku shkruhej: “Na rrahën këtu më 28 prill 2025. Kush është fajtor?”. Studentët kanë kërkuar që dekani Patrik Drid të dalë e të dialogojë me ta, ndërsa njëri prej tyre raportoi për N1 se kolegu i tij ndodhet ende i mbyllur brenda një dhome të fakultetit. Sipas dëshmive, dekani mëngjesin e sotëm hyri me forcë në ndërtesë përmes një dritareje, i shoqëruar nga persona të panjohur dhe policia, gjë që ka shtuar tensionet.
Situata e ngjashme e pakënaqësive po shfaqet edhe në Beograd. Para Gjimnazit të Pestë, prindër, qytetarë dhe nxënës bllokuan trafikun në rrugën Ilije Garašanin, duke protestuar kundër masave të drejtoreshës në detyrë, Danka Nešović. Grupi muzikor “Beograd Union” mbajti një mini-koncert para shkollës, duke shprehur solidaritet me nxënësit. Protestuesit premtuan se nuk do të ndalen derisa të dëgjohen kërkesat e tyre.
© SYRI.net