Vëllimi i tregtisë midis Bashkimit Evropian dhe Rusisë ka rënë ndjeshëm, duke arritur në nivelin më të ulët që nga viti 2002 në tremujorin e dytë të vitit 2025. Sipas të dhënave të Eurostat, eksportet e BE-së drejt Rusisë arritën 7.5 miliardë euro, ndërsa importet nga Rusia ranë në 7 miliardë euro, duke çuar bilancin tregtar të BE-së me Rusinë në një suficit të vogël prej 0.5 miliardë eurosh – suficiti i parë që nga viti 2005.

Rënia e ndjeshme e tregtisë midis dy palëve lidhet me sanksionet që BE-ja vendosi ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës në shkurt 2022. Eksportet drejt Rusisë kanë pësuar një rënie prej 61%, ndërsa importet nga Rusia ranë me 89% krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2022. Totali i tregtisë ka rënë me 82%, nga 81.9 miliardë euro në tremujorin e parë të vitit 2022 në 14.5 miliardë euro në tremujorin e dytë të vitit 2025.

Sipas Eurostat, pjesa e Rusisë në eksportet jashtë BE-së ka rënë nga 3.2% në 1.2%, ndërsa në importet jashtë BE-së nga 9.3% në 1.1%. Një rënie e tillë tregon zvogëlimin dramatik të rëndësisë së tregtisë me Rusinë për ekonominë evropiane.
Bilanci tregtar i BE-së lidhet ngushtë me produktet energjetike. Në vitet 2021-2022, çmimet e larta të energjisë dhe importet nga Rusia çuan deficitin në 42.8 miliardë euro. Por deri në tremujorin e dytë të vitit 2025, deficitit energjetik u është ulur në 4.2 miliardë euro, për shkak të kufizimeve të importit dhe çmimeve më të ulëta të energjisë.

BE-ja ka ndaluar importet detare të naftës bruto ruse që nga dhjetori 2022 dhe ka vendosur embargë mbi produktet e rafinuara të naftës, duke zvogëluar ndjeshëm varësinë energjetike nga Rusia. Pjesa e importeve të naftës nga Rusia ra nga 29% në vetëm 2%, ndërsa pjesa e gazit natyror u ul nga 39% në 13%. Importet e nikelit ranë nga 41% në 15%, dhe hekuri e çeliku nga 18% në 6%.
Ndërkohë, BE-ja regjistroi suficit të madh në tregtinë e kimikateve, me 2.8 miliardë euro, dhe një rënie të theksuar të suficitit në makineri dhe automjete, nga 9.7 miliardë euro në vetëm 0.5 miliardë euro.

Ekspertët vlerësojnë se ndryshimet tregtare pas pushtimit të Ukrainës tregojnë për një zhvendosje të rëndësishme strategjike të BE-së drejt diversifikimit të burimeve të energjisë dhe zvogëlimit të varësisë nga Rusia, ndërkohë që sanksionet kanë ndikuar në uljen drastike të tregtisë dypalëshe.

Në total, tregtia BE-Rusi shënon një pikë të ulët historike, por për BE-në, ky ndryshim shoqërohet me një hap drejt pavarësisë energjetike dhe një suficit të rrallë tregtar pas dy dekadash.. Euronews - Syri.Net
© SYRI.net