Ushtria izraelite deklaroi të dielën se ka eliminuar zëdhënësin e krahut të armatosur të Hamasit, Abu Obeida, një nga figurat më të njohura të komunikimit të grupit militant. Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, e identifikoi atë si të vrarë gjatë fundjavës, megjithatë Hamasi nuk ka dhënë ende asnjë koment mbi këto pretendime.
Deklarata e fundit e Obeidës u publikua të premten, pikërisht kur Izraeli shpalli qytetin e Gazës zonë luftime, pas nisjes së një ofensive të zgjeruar të cilën komuniteti ndërkombëtar e ka dënuar. Në mesazhin e tij, ai paralajmëroi se militantët do të mbronin me çdo kusht pengjet e gjalla, ndërsa shtoi se mbetjet e atyre që kanë humbur jetën do të “zhdukeshin përgjithmonë”.
Pesë raketa goditën katin e dytë dhe të tretë të ndërtesës gjashtëkatëshe njëkohësisht nga dy drejtime të ndryshme. Apartamenti i synuar ishte përdorur si klinikë dentare. Dëshmitarët raportuan për qindra mijëra dollarë që fluturuan në ajër për shkak të sulmit, para që dyshohet se ishin vjedhur nga anëtarët e Hamasit.
Obeida ishte ndër të paktët anëtarë të lartë të mbetur të krahut ushtarak të Hamasit që nga sulmi i tij vdekjeprurës më 7 tetor 2023 në Izraelin jugor. Në deklaratën e përbashkët të IDF dhe Shin Bet thuhej se Obeida “shërbeu si fytyra publike e organizatës terroriste Hamas” dhe “shpërndau propagandën e Hamasit”.
Gjithmonë i maskuar me një shall palestinez, ai u bë idhull për mbështetësit e Hamasit në të gjithë Lindjen e Mesme. Në atë që mund të ketë qenë fjalimi i tij i fundit të premten, Obeida tha se fati i pengjeve të mbetura izraelite do të ishte i njëjtë me atë të luftëtarëve të Hamasit, duke e paralajmëruar Izraelin kundër pushtimit të planifikuar të Qytetit të Gazës.
Ndërkohë, Katz paralajmëroi të dielën se shumë më tepër “partnerë kriminelë” të Obeidas do të jenë në shënjestër të “intensifikimit të fushatës në Gaza”, një referencë ndaj një plani izraelit të miratuar së fundmi për të marrë kontrollin e Gazës.
Tel Avivi pretendon se në Gaza ende ekziston një rrjet i gjerë tunelesh i përdorur nga Hamasi, pavarësisht disa operacioneve të mëparshme masive gjatë ofensivës që tashmë ka hyrë në muajin e 23-të.
© SYRI.net