Në Ras al-Ahmar, në Bregun Perëndimor të pushtuar, rruga që më parë bëhej për më pak se 10 minuta tani kërkon deri në 3 orë. Banorët palestinezë thonë se kontrollet, mbyllja e rrugëve dhe patrullimet e ushtrisë izraelite dhe kolonëve janë kthyer në pjesë të përditshmërisë së tyre, shkruan Al Jazeera.
Fshati në veri të Luginës së Jordanit është pothuajse i izoluar. Shumica e hyrjeve janë mbyllur, ndërsa e vetmja rrugë e mbetur është një pistë e vështirë, e kalueshme kryesisht vetëm me automjete të fuqishme.
Situata është përkeqësuar pas operacioneve izraelite në zonë, ku janë shkatërruar puse uji që furnizonin fermerët palestinezë. Si pasojë, shumë toka bujqësore kanë mbetur pa ujë dhe prodhimet janë dëmtuar rëndë.
Lugina e Jordanit konsiderohet një nga zonat më pjellore të Bregut Perëndimor, ku kultivohen ullinj, rrush, banane dhe kultura të tjera bujqësore. Por fermerët thonë se pas ndërprerjes së furnizimit me ujë, shumë sera dhe fusha janë braktisur, ndërsa të korrat po thahen.
Banorët palestinezë pretendojnë se në javët e fundit presioni ndaj tyre është rritur, me shkatërrimin e tubacioneve të ujitjes, puseve, serave dhe konfiskimin e pajisjeve bujqësore.
Në qendër të konfliktit është një projekt i ri izraelit i quajtur “Fija e Kuqe”, një barrierë që përfshin një kanal të madh dhe një rrugë ushtarake prej rreth 22 kilometrash mes pikave të kontrollit Ein Shibli dhe Tayasir.
Izraeli thotë se projekti synon të pengojë kontrabandën e armëve nga Jordania, por palestinezët dhe organizatat monitoruese e shohin atë si një mënyrë për të ndarë komunitetet palestineze nga tokat e tyre bujqësore dhe për të zgjeruar kontrollin izraelit mbi zonën.
Sipas të dhënave të organizatave palestineze, autoritetet izraelite kanë nxjerrë dhjetëra urdhra për konfiskimin e tokave gjatë këtij viti. Ndërkohë, organizatat izraelite që monitorojnë politikat e tokës thonë se përdorimi i urdhrave ushtarakë dhe zgjerimi i vendbanimeve hebraike kanë krijuar një presion të vazhdueshëm mbi komunitetet palestineze.
Banorët e zonës thonë se shumë familje janë larguar për shkak të frikës nga sulmet e kolonëve dhe kufizimeve të lëvizjes. Ata pretendojnë se dhjetëra familje kanë humbur shtëpitë, tokat dhe burimet e jetesës.
Pas ndërtimit të barrierës, palestinezët frikësohen se komunitetet do të mbeten të shkëputura nga shërbimet bazë, si spitalet, shkollat dhe qendrat e emergjencës.
Ndërkohë, mungesa e ujit ka rritur ndjeshëm kostot për banorët.
Ata thonë se prodhimi bujqësor në zonë ka rënë ndjeshëm dhe shumë familje kanë humbur një pjesë të madhe të bagëtive për shkak të pamundësisë për të përdorur kullotat.
Palestinezët akuzojnë Izraelin se masat e ndërmarra synojnë largimin gradual të tyre nga zona dhe marrjen e kontrollit mbi tokat bujqësore, ndërsa Izraeli argumenton se veprimet lidhen me çështje sigurie.
© SYRI.net