130.000 të zhdukur/ Mijëra meksikanë kërkojnë drejtësi, protesta masive kudo

130.000 të zhdukur/ Mijëra meksikanë kërkojnë drejtësi, protesta masive kudo

09:09, 31/08/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

 Mijëra njerëz kanë mbajtur protesta në të gjithë Meksikën për të nxjerrë në pah zhdukjet e shumta në vend, duke kërkuar më shumë ndërhyrje nga autoritetet ligjzbatuese.

Të afërm dhe miq të personave të zhdukur, si dhe aktivistë të të drejtave të njeriut, marshuan në rrugët e qytetit të Meksikos, Guadalajarës, Kordobës dhe qyteteve të tjera, duke kërkuar drejtësi dhe duke i bërë thirrje qeverisë së Presidentes Claudia Sheinbaum që të ndihmojë në gjetjen e të afërmve të tyre të zhdukur.

Më shumë se 130.000 persona janë raportuar të zhdukur në Meksikë. Pothuajse të gjitha rastet kanë ndodhur pas vitit 2007, kur ish-presidenti Felipe Calderón nisi luftën kundër drogës.

Në shumë raste, të zhdukurit janë rekrutuar me forcë nga kartelet e drogës ose janë vrarë për shkak se kanë kundërshtuar.

Kartelet e drogës, grupet e krimit të organizuar dhe forcat e sigurisë janë kryesoret që fajësohen për këto zhdukje.

Masivizimi i demonstratave në disa qytete, shtete dhe komuna tregon përmasat e problemit dhe ndikimin që ka në komunitetet dhe familjet në të gjithë Meksikën.

Nga një skaj i vendit në tjetrin, nga shtetet jugore si Oaxaca te ato veriore si Sonora dhe Durango, aktivistë dhe familjarë të personave të zhdukur dolën me mijëra duke mbajtur pankarta me fytyrat e të afërmve të tyre, për të kërkuar më shumë veprim nga autoritetet.

Në qytetin e Meksikos, marshimi bllokoi trafikun në kryeqytet, ndërsa protesta u zhvendos nëpër rrugën kryesore të qytetit.

Shumë familje të prekura kanë formuar ekipe kërkimi, të njohura si "buscadores", që kontrollojnë fshatrat dhe shkretëtirat e Meksikës veriore, duke ndjekur informacione të marra shpesh edhe nga vetë kartelet për vendndodhjet e varrezave masive.

Buscadores kryejnë kërkime duke marrë rrezik të madh mbi vete. Pas një zbulimi të fundit në shtetin Jalisco, ku një grup kërkimi gjeti një "narkofermë", disa nga kërkuesit u zhdukën.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Shtetit doli në përfundimin se nuk kishte prova për ekzistencën e një krematori në vend.

Kombet e Bashkuara e kanë quajtur këtë një "tragjedi njerëzore me përmasa të jashtëzakonshme".

Meksika po përjeton një nivel zhdukjesh që tejkalon disa nga më të rëndat në Amerikën Latine.

Rreth 40.000 persona u zhdukën gjatë luftës civile 36-vjeçare të Guatemalës, e cila përfundoi në vitin 1996. Rreth 30.000 u zhdukën në Argjentinë gjatë sundimit ushtarak midis viteve 1976 dhe 1983. Ndërkohë që 130.000 persona janë raportuar të zhdukur nga kartelet.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco