Gjurmoi celularët e truprojave,  si Izraeli kreu sulmin që tronditi Iranin

Gjurmoi celularët e truprojave, si Izraeli kreu sulmin që tronditi Iranin

22:49, 30/08/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në një investigim të publikuar sot në News York Times, zbulohet si Izraeli arriti të gjurmojë dhe eliminojë figurat kyçe iraniane gjatë luftës 12-ditore këtë qershor, duke ndjekur celularët anëtarët e forcave të tyre të sigurisë.

Investigimi i New York Times

Gazetarë: Farnaz Fassihi, Ronen Bergman e Mark Mazzetti

Takimi ishte aq sekret sa vetëm të pranishmit – një grusht zyrtarësh të lartë të qeverisë iraniane dhe komandantë ushtarakë – e dinin kohën dhe vendndodhjen. Ishte 16 qershori, dita e katërt e luftës së Iranit me Izraelin, kur Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare u mblodh urgjentisht në një bunker 30 metra nën një shpat mali në perëndim të Teheranit.

Prej ditësh, fushata e pandërprerë e bombardimeve izraelite kishte shkatërruar objekte ushtarake, qeveritare e bërthamore në Iran, duke eliminuar gjithashtu pjesën më të lartë të komandantëve dhe shkencëtarëve bërthamorë iranianë.

Zyrtarët, mes tyre presidenti Masoud Pezeshkian, krerët e gjyqësorit dhe ministrisë së inteligjencës, si dhe komandantë të lartë ushtarakë, mbërritën me makina të ndara. Asnjëri nuk kishte telefon celular, të vetëdijshëm se inteligjenca izraelite mund t’i gjurmonte.

Megjithë masat ekstreme, avionët izraelitë hodhën gjashtë bomba mbi bunker pak pasi nisi mbledhja, duke goditur dy hyrje-daljet e tij. Çuditërisht, askush brenda bunkerit nuk u vra. Kur udhëheqësit dolën më vonë, gjetën trupat e disa rojeve të vrarë nga shpërthimet.

Sulmi tronditi aparatin e inteligjencës iraniane

Izraelitët kishin zbuluar vendtakimin duke hakuar telefonat e truprojave që shoqëruan drejtuesit deri te vendi dhe prisnin jashtë.

Gjurmimi i rojeve nga ana e Izraelit nuk ishte raportuar më parë. Ishte pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të depërtuar në qarqet më të mbrojtura të sigurisë dhe inteligjencës iraniane, përpjekje që lanë autoritetet në Teheran të enden për dy muaj në gjurmë që nuk i çonin askund

Sipas zyrtarëve iranianë dhe izraelitë, përdorimi i pakujdesshëm i telefonave celularë nga rojet e sigurisë iraniane ndër vite — përfshirë postimet në rrjete sociale — ka luajtur një rol qendror në aftësinë e inteligjencës ushtarake izraelite për të gjurmuar shkencëtarët bërthamorë dhe komandantët ushtarakë iranianë, duke i lejuar Forcat Ajrore të Izraelit t’i godisnin me raketa e bomba gjatë javës së parë të luftës në  qershor.

“Ne e denim që zyrtarët e lartë dhe komandantët nuk mbanin telefona, por bashkëpunëtorët e tyre, rojet e sigurisë dhe shoferët kishin; ata nuk morën seriozisht masat e kujdesit, dhe kështu u gjurmua shumica prej tyre,” tha Sasan Karimi, ish-zëvendëspresident për strategji në qeverinë aktuale të Iranit dhe tani analist politik e ligjërues në Universitetin e Teheranit.

Detajet mbi mënyrën sesi u gjurmuan e u shënjestruan zyrtarët e komandantët iranianë, bazohet në intervista me pesë zyrtarë të lartë iranianë, dy anëtarë të Gardës Revolucionare Islamike dhe nëntë zyrtarë ushtarakë e të inteligjencës izraelite.

Dobësitë e sigurisë te truprojat përbëjnë vetëm një element të një fushate të gjatë dhe shpesh të suksesshme të Izraelit për të përdorur spiunë dhe operativë të vendosur nëpër Iran, si edhe teknologjinë, kundër vendit, shpesh me pasoja shkatërruese.

Ndërkohë Irani vijon të gjurmojë ‘spiunët’ që ndodhen brenda vendit dhe strukturave shtetërore.

“Depërtimi ka arritur deri në nivelet më të larta të vendimmarrjes sonë,” deklaroi në një intervistë për mediat iraniane në fund të qershorit Mostafa Hashemi Taba, ish-zëvendëspresident dhe ish-ministër.

Në fillim të këtij muaji, Irani ekzekutoi një shkencëtar bërthamor, Roozbeh Vadi, nën akuzat se spiunonte për Izraelin dhe kishte ndihmuar në vrasjen e një shkencëtari tjetër. Tre zyrtarë të lartë iranianë dhe një anëtar i Gardës Revolucionare thanë se Irani kishte arrestuar në heshtje ose kishte vendosur në arrest shtëpie dhjetëra persona nga ushtria, inteligjenca dhe degë të qeverisë që dyshoheshin si spiunë të Izraelit, disa prej tyre në pozita të larta. Izraeli as nuk e ka konfirmuar dhe as mohuar ndonjë lidhje me këta të akuzuar.

Izraeli kishte gjurmuar shkencëtarët e lartë bërthamorë iranianë që nga fundi i vitit 2022 dhe kishte shqyrtuar mundësinë e eliminimit të tyre që në tetor të kaluar, por e kishte shtyrë për të shmangur një përplasje me administratën Biden, thanë zyrtarë izraelitë.

Nga fundi i vitit të kaluar deri në qershor, ajo që izraelitët e quanin një “ekip prerjeje koke” rishikoi dosjet e të gjithë shkencëtarëve të përfshirë në projektin bërthamor iranian të njohur nga Izraeli, për të vendosur se cilët do të rekomandonin për t’i vrarë. Lista e parë kishte 400 emra. Kjo u reduktua në 100, kryesisht mbi bazën e materialeve nga arkiva bërthamore iraniane që Mossad-i kishte vjedhur nga Irani në vitin 2018. Në fund, Irani tha se izraelitët u fokusuan dhe vranë 13 shkencëtarë.

Në të njëjtën kohë, Izraeli po ndërtonte kapacitetet për të shënjestruar e eliminuar zyrtarë të lartë ushtarakë iranianë nën një program të quajtur “Operacioni Dasma e Kuqe”, një referencë ndaj një episodi të përgjakshëm të serialit Game of Thrones. Gjeneral brigade Amir Ali Hajizadeh, komandant i Forcës Ajrore të Gardës Revolucionare, ishte objektivi i parë, sipas një zyrtari izraelit.

Në thelb, ideja ishte të identifikoheshin 20 deri në 25 objektiva njerëzorë në Iran dhe të goditeshin të gjithë në sulmin hapës të fushatës, me supozimin se më pas ata do të bëheshin më të kujdesshëm dhe shumë më të vështirë për t’u kapur.

Në një intervistë me video për një gazetar iranian, shefi i sapoemëruar i Gardës Revolucionare, gjeneral brigade Ahmad Vahidi, tha se megjithëse Izraeli kishte operativë e spiunë në vend, ai kishte ndjekur gjurmët e zyrtarëve dhe shkencëtarëve kryesisht përmes teknologjisë së avancuar.

“Armiku e merr pjesën më të madhe të informacionit përmes teknologjisë, satelitëve dhe të dhënave elektronike,” tha gjenerali Vahidi. “Ata mund të gjejnë njerëz, të marrin informacione, zëra, imazhe dhe të afrohen me satelitë precizë për të gjetur vendndodhjet.”

Duke u frikësuar nga atentate të tjera në terren si ato të kryera me sukses më parë, udhëheqësi suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei, urdhëroi masa të zgjeruara sigurie, përfshirë trupa të mëdha rojesh dhe ndaloi përdorimin e telefonave celularë dhe aplikacioneve të mesazheve si WhatsApp i cili përdoret zakonisht në Iran.

Por Izraeli zbuloi se rojet jo vetëm që mbanin telefona, por madje disa postonin dhe në rrjete sociale.

“Përdorimi i kaq shumë truprojave është një dobësi që ne ua imponuam, dhe ia dolëm të përfitonim prej saj,” tha një zyrtar i mbrojtjes izraelite.

Zyrtarët iranianë kishin kohë që dyshonin se Izraeli po gjurmonte lëvizjet e komandantëve dhe shkencëtarëve të lartë përmes celularëve të tyre. Vitin e kaluar, pasi Izraeli shpërtheu bomba të fshehura në mijëra pagers që mbanin operativët e Hezbollahut në Liban, Irani ndaloi përdorimin e smartfonëve, rrjeteve sociale dhe aplikacioneve të mesazheve nga zyrtarët në detyra veçanërisht të ndjeshme. Tani, smartfonët janë tërësisht të ndaluar për komandantët ushtarakë, shkencëtarët bërthamorë dhe zyrtarët e qeverisë.

Mbrojtja e zyrtarëve të lartë, komandantëve dhe shkencëtarëve bërthamorë është përgjegjësi e një brigade elitë brenda Gardës Revolucionare të quajtur Ansar al-Mehdi. Komandanti i përgjithshëm i Ansar-it, i emëruar gushtin e kaluar pas krijimit të qeverisë së re, është gjenerali Mohamad Javad Assadi, një nga komandantët më të rinj të Gardës.

Gjenerali Assadi kishte paralajmëruar personalisht disa komandantë të lartë dhe një shkencëtar kryesor bërthamor, Mohammad Mehdi Tehranchi, se Izraeli planifikonte t’i vriste, të paktën një muaj para se të eliminoheshin në ditën e parë të luftës, sipas dy zyrtarëve iranianë me dijeni për bisedën. Ai gjithashtu kishte thirrur një mbledhje me drejtuesit e ekipeve të sigurisë, duke u kërkuar atyre të merrnin masa shtesë sigurie, thanë zyrtarët.

Fillimisht, ndalimi i celularëve nuk u zbatua për rojet e sigurisë që mbronin zyrtarët, shkencëtarët dhe komandantët. Kjo ndryshoi pas valës së atentateve të Izraelit në ditën e parë të luftës. Tani, rojet duhet të mbajnë vetëm radio komunikimi. Vetëm drejtuesit e ekipeve që nuk udhëtojnë me zyrtarët lejohen të mbajnë celularë.

Por, pavarësisht rregullave të reja, sipas zyrtarëve që kanë marrë pjesë në mbledhje me gjeneral Assadin për sigurinë, dikush i shkeli ato dhe mori një telefon në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, gjë që i lejoi izraelitët të kryenin sulmin preciz.

Hamzeh Safavi, analist politik e ushtarak, i biri i këshilltarit kryesor ushtarak të Ayatollah Khameneit, deklaroi se epërsia teknologjike e Izraelit ndaj Iranit përbën një kërcënim ekzistencial. Ai theksoi se Irani nuk ka zgjidhje tjetër veçse të rishikojë tërësisht sistemin e sigurisë, të rishikojë rrënjësisht protokollet dhe të marrë vendime të vështira — përfshirë arrestimin dhe ndjekjen penale të spiunëve të nivelit të lartë.

“Duhet të bëjmë gjithçka për të identifikuar dhe eliminuar këtë kërcënim; kemi një dobësi të madhe në sistemin e sigurisë dhe inteligjencës, dhe asgjë nuk është më urgjente sesa mbyllja e këtij hendeku,” tha Safavi në një intervistë telefonike.

Ministri iranian i Inteligjencës njoftoi këtë muaj se kishte parandaluar një atentat izraelit ndaj 23 zyrtarëve të lartë, pa dhënë emrat apo postet e tyre. Ai shtoi se në muajt para luftës, Irani kishte zbuluar dhe parandaluar 13 komplotet e Izraelit për të eliminuar 35 drejtues ushtarakë e qeveritarë. (Një zyrtar izraelit i inteligjencës hodhi poshtë këtë version, duke thënë se Izraeli nuk kishte kryer operacione të tilla para sulmit të befasishëm të qershorit, që mund të kishin rritur vigjilencën e Iranit).

Në deklaratë po ashtu thuhej se forcat e sigurisë kishin identifikuar dhe arrestuar 21 persona të akuzuar për spiunazh për Mossadin dhe për punë si operatorë terreni e mbështetjeje në të paktën 11 provinca të Iranit.

Pas sulmeve të 7 tetorit 2023, që ndezën luftën në Gaza dhe sollën operacione agresive të Izraelit në Iran dhe Liban, Teherani ka përshpejtuar përpjekjet për të rekrutuar spiunë brenda Izraelit. Në vitin e fundit, Shin Bet, shërbimi i inteligjencës së brendshme izraelite, ka arrestuar dhjetëra izraelitë të akuzuar si agjentë të paguar nga Irani për ndihmë në mbledhjen e informacionit mbi objektiva të mundshëm për sulme iraniane ndaj Izraelit.

Izraeli e ka bërë prioritet urgjent eliminimin e shkencëtarëve kryesorë bërthamorë iranianë si mënyrë për të penguar programin bërthamor të vendit, duke shkuar deri në helmimin e dy shkencëtarëve të rinj premtues.

Ndërsa Irani ka avancuar me pasurimin e uraniumit në nivele afër përdorimit ushtarak, zyrtarët izraelitë të ushtrisë dhe inteligjencës kanë konkluduar se fushata e sabotimeve e shpërthimeve në centrifuga — që Mossadi kishte ndjekur prej shumë vitesh — kishte dhënë vetëm ndikim të kufizuar.

Në vitin 2021, sipas tre zyrtarëve të sigurisë izraelite, fokusi kaloi tek ajo që Izraeli e quajti “grupi i armës” — një grup shkencëtarësh iranianë që besohej se punonin fshehtas për ndërtimin e mekanizmit të ndezjes së uraniumit të pasuruar, hapi më kritik e teknikisht më i vështirë i një programi bërthamor. (Irani ngul këmbë se programi i tij është vetëm paqësor; edhe agjencitë amerikane të inteligjencës e OKB-së nuk kanë gjetur prova të militarizimit).

Ky grup shkencëtarësh u bë objektivi kryesor i asaj që Izraeli e quajti “Operacioni Narnia”, një plan për t’i eliminuar në ditët e para të luftës.

Më 16 qershor, në mbledhjen e Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit, Izraeli kishte eliminuar tashmë disa figura të rëndësishme të programit bërthamor, mes tyre Tehranchi dhe Fereydoun Abbasi, të vrarë disa ditë më parë. Celularët e truprojave të tyre ndihmuan Izraelin për t’i gjurmuar.

Por objektivat e Izraelit nuk ishin vetëm shkencëtarët, por edhe drejtuesit kryesorë politikë e ushtarakë, që morën pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, dhe vrau të paktën 30 komandantë të lartë ushtarakë.

Gjenerali Hajizadeh, shefi i Forcës Ajrore të Gardës Revolucionare, mblodhi ekipin drejtues dhe truprojat në fillim të luftës për të monitoruar rrezikun nga sulmet izraelite. Avionët izraelitë zbuluan bunkerën ku ishte fshehur dhe kryen një sulm të saktë, duke vrarë atë dhe drejtues të tjerë kryesorë.

Djali i tij, Alireza, tha në një video për mediat iraniane se babai i tij tregonte gjithmonë kujdes të veçantë për telefonat: “Kur donte të diskutonte diçka të rëndësishme, na urdhëronte të nxirrnim telefonat dhe pajisjet inteligjente nga dhoma dhe t’i vendosnim larg.”

Gjurmimi i truprojave ndihmoi gjithashtu që Izraeli të zbulonte mbledhjen e 16 qershorit. Përveç presidentit Pezeshkian, të pranishëm ishin edhe kryetari i Parlamentit Ghalibaf, kreu i gjyqësorit Mohseni-Ejei, si dhe ministrat e Brendshëm, të Mbrojtjes e të Inteligjencës, bashkë me komandantë ushtarakë — disa prej të cilëve sapo ishin emëruar pas vrasjes së pararendësve të tyre.

Sipas dëshmive të mëvonshme, sulmi shkatërroi sallën e mbledhjes, duke e mbushur me pluhur, tym e rrënoja, ndërsa energjia elektrike u ndërpre. Tre zyrtarë thane se Presidenti Pezeshkian arriti të gjente një hapësirë të vogël me dritë e oksigjen dhe, duke gërmuar me duar, hapi mjaftueshëm rrugë që pjesëmarrësit të dilnin një nga një. Ai pësoi një dëmtim të lehtë në këmbë nga një  copëz granate, ndërsa ministri i Brendshëm u dërgua në spital për probleme me frymëmarrjen.

"Pati vetëm një vrimë të vogël nga hynte ajri, ndaj thamë se nuk do të mbyteshim. Jeta varet nga një sekondë,” tha Pezeshkian në një takim me klerikë të lartë, sipas një videoje të publikuar në media iraniane. Ai theksoi se nëse Izraeli do të kishte arritur të eliminonte drejtuesit kryesorë të shtetit, vendi do të ishte përfshirë nga kaosi.

“Populli,” shtoi ai, “do të kishte humbur shpresën.”

/New York Times/ 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco