Drejtori i Përgjithshëm i Deutsche Welle (DW), Peter Limbourg, i bëri thirrje të premten qeverisë izraelite të sigurojë mbrojtjen e gazetarëve, pasi një ekip i DW-së u përball me gaz lotsjellës të hedhur drejtpërdrejt nga ushtarë izraelitë në Ramallah, në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Ngjarja ndodhi të martën, kur Korrespondentja e Lartë Ndërkombëtare Fanny Facsar, së bashku me një kameraman dhe një koleg vendas, po dokumentonin rreziqet me të cilat përballen profesionistët e medias në rajon. Pavarësisht se kishin veshje mbrojtëse të shënuara qartë me mbishkrimin “SHTYP”, ushtarët izraelitë drejtuar armët dhe lëshuan gaz lotsjellës ndaj tyre. Fatmirësisht, askush nuk mbeti i lënduar.
Limbourg e quajti incidentin dhe sulmet e përsëritura ndaj gazetarëve “absolutisht të papranueshme”. “Nuk ka asnjë justifikim për kërcënimin e përfaqësuesve të shtypit – as nga ushtria dhe as nga kolonët radikalë”, theksoi ai, duke nënvizuar se liria e medias dhe mbrojtja e gazetarëve janë shtylla të çdo demokracie.
DW deklaroi se do të vazhdojë të raportojë mbi zhvillimet në rajon dhe të avokojë për sigurinë e stafit të saj, si edhe për lirinë e shtypit në të gjithë botën.
Incidenti në Ramallah pason një tjetër rast të ndodhur në korrik, kur një korrespondent dhe kameraman i DW-së u sulmuan nga kolonët izraelitë në fshatin Sinjil. Të dy gazetarët, edhe atëherë të pajisur me xhaketa të shënuara “PRESS”, u ndoqën me gurë dhe u shpëtuan pa lëndime, por automjeti i tyre u dëmtua rëndë.