Forcat Ajrore të Finlandës kanë nisur procesin e heqjes së svastikave blu mbi sfond të bardhë nga flamujt e njësive të tyre, një simbol që është përdorur që prej vitit 1918, shumë përpara se ai të lidhej me Gjermaninë naziste. Ky hap vjen si pjesë e një përpjekjeje për të shmangur sikletet me aleatët perëndimorë dhe për të forcuar integrimin e vendit në NATO, pas anëtarësimit të Finlandës në vitin 2023.
Edhe pse zyrtarët finlandezë kanë theksuar se përdorimi i svastikës në Forcat Ajrore nuk ka lidhje me nazizmin, prezenca e saj në disa flamuj ka shkaktuar habi dhe shqetësim ndërkombëtar. “Mund të kishim vazhduar me këtë flamur, por ndonjëherë mund të lindin situata të sikletshme me vizitorët e huaj. Mund të jetë e mençur të jetohet me kohën”, u shpreh Tomi Böhm, kreu i forcës së mbrojtjes ajrore Karelia Air Wing.
Plani për rinovimin e flamujve të njësive ushtarake u miratua vitin e kaluar, duke u prezantuar si një nismë për të “përditësuar simbolikën dhe për të pasqyruar më mirë identitetin aktual të Forcave Ajrore”. Megjithatë, raportimet e mediave finlandeze theksojnë se arsyeja kryesore është perceptimi i svastikës si një “simbol i turpshëm” në kontekste ndërkombëtare.
Historianët kujtojnë se Forcat Ajrore të Finlandës adoptuan këtë simbol në vitin 1918, pas shpalljes së pavarësisë nga Rusia, dhe e përdorën atë në avionët e tyre deri në vitin 1945. Pas Luftës së Dytë Botërore, ai mbeti në disa flamuj dhe dekorime ushtarake, pavarësisht asociacioneve negative që kishte fituar globalisht.
Sipas profesor Teivo Teivanen, autor i librit Historia e Svastikës, vendimi i tanishëm lidhet drejtpërdrejt me nevojën për harmonizim me aleatët e rinj në NATO, veçanërisht me shtete si Gjermania, Franca dhe Holanda, ku simboli është i ndaluar dhe shihet vetëm si i lidhur me nazizmin.
Ky ndryshim shënon një distancim të qartë të Finlandës nga një pjesë e së kaluarës së saj ushtarake dhe një përafrim më të madh me standardet politike e kulturore të aleancës së Atlantikut të Veriut.
© SYRI.net