Anglia fut vaksinën kundër lisë së dhenve në programin kombëtar të vaksinimit, ofrohet falas

Anglia fut vaksinën kundër lisë së dhenve në programin kombëtar të vaksinimit, ofrohet falas

16:23, 29/08/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Mijëra fëmijëve në Angli do t’u ofrohet për herë të parë vaksina kundër lisë së dhenve, si pjesë e përpjekjeve për të përmirësuar shëndetin e fëmijëve dhe për të ulur kostot e trajtimit. Qeveria britanike njoftoi se duke filluar nga janari, fëmijët do të marrin një vaksinë të kombinuar për fruthin, shytat, rubeolën dhe varicelën (lija e dhenve), e cila do të përfshihet në orarin rutinë të Shërbimit Kombëtar të Shëndetësisë (NHS).

Rreth gjysmë milioni fëmijë do të jenë të kualifikuar çdo vit për këtë vaksinë. Zyrtarët e shëndetit publik theksuan se programi synon të krijojë “brezin më të shëndetshëm të fëmijëve ndonjëherë”.

“Vaksina ka treguar siguri dhe efektivitet të lartë në shumë vende dhe do të ketë ndikim të madh pozitiv në shëndetin e fëmijëve”, tha Dr. Gayatri Amirthalingam nga Agjencia e Sigurisë Shëndetësore të Mbretërisë së Bashkuar.

Qeveria vlerëson se lija e dhenve shkakton rreth 24 milionë paund humbje ekonomike çdo vit, ndërsa përfshirja e vaksinës pritet t’i kursejë NHS-së rreth 15 milionë paund në vit.

Ekspertët theksojnë se përveç mbrojtjes së fëmijëve, vendimi do të ulë pabarazitë, pasi deri më tani vaksina ofrohej vetëm privatisht me një kosto prej 150 paund. “Për herë të parë të gjithë fëmijët do të kenë akses në këtë vaksinë, pavarësisht mundësive financiare të prindërve”, tha profesoresha Chrissie Jones nga Universiteti i Southampton.

Lija e dhenve prek zakonisht fëmijët mes moshës 2 dhe 8 vjeç dhe mund të shkaktojë komplikime serioze tek të rriturit, gratë shtatzëna dhe personat me imunitet të dobësuar. Dy doza të vaksinës konsiderohen shumë efektive në parandalimin e sëmundjes.

Me këtë vendim, Anglia i bashkohet vendeve si Gjermania, Kanadaja, Shtetet e Bashkuara dhe Australia, të cilat tashmë e ofrojnë vaksinën në mënyrë rutinore, ndërsa në disa shtete evropiane ajo është e detyrueshme për foshnjat.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco