Ditë zie është shpallur në Kiev pasi sulmi i dytë më i madh ajror që prej fillimit të luftës shkaktoi të paktën 23 viktima, përfshirë 4 fëmijë. Kryebashkiaku i qytetit, Vitali Klitschko, tha se po nderonin të vdekurit, teksa përpjekjet masive të kërkim-shpëtimit vijojnë pranë një pallati 5-katësh, ku u vranë 22 prej viktimave.
Sulmi gjeneroi kritika të ashpra ndërkombëtare, me kreun e Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump, që tha se nuk ishte i lumtur, por as i befasuar, ndërsa presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, deklaroi se Rusia nuk do të ndalet para askujt në terrorizimin e Ukrainës.
Ministrat e Mbrojtjes së BE-së takohen në Kopenhagë të Danimarkës për të diskutuar mbështetjen ushtarake për Kievin. Brukseli shprehet veçanërisht i alarmuar për sulmin me raketa dhe dronë të Rusisë, pasi në të mbetën të dëmtuara edhe selitë e misionit të BE-së dhe Këshillit Britanik në kryeqytetin ukrainas.
Duke folur në prag të takimit të së premtes, ministrja e Mbrojtjes së Lituanisë, Dovile Sakalienė, tha: "Shpresat për negociatat e mundshme të paqes janë naive kur shohim se çfarë po ndodh në Ukrainë, ku 23 persona u vranë në Kiev dhe ku u bombarduan misionet diplomatike. Gjithçka që bën Putini është zvarritja, blerja e lirë e kohës për të vrarë më shumë njerëz".
Ministri estonez i Mbrojtjes, Hanno Pevkur, tha se garancia më e mirë për Ukrainën do të ishte anëtarësimi në NATO.
Gjatë natës së fundit u raportuan më pak luftime, edhe pse si Rusia, ashtu edhe Ukraina, folën për dhjetëra dronë të rrëzuar. Kreu rajonal i Harkivit, Oleh Syniehubov, bëri të ditur se 5 vendbanime në rajonin e tij ishin sulmuar, me një të vrarë në Kupyansk.
Presidenti Trump shpresoi të organizonte një takim mes Zelenskit dhe Putinit për t’i dhënë fund luftës, por përpjekjet kanë ngecur.
© SYRI.net