Skandali i Phica.eu – një kronikë e dhunës digjitale ndaj grave

Skandali i Phica.eu – një kronikë e dhunës digjitale ndaj grave

10:19, 29/08/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Alba Kepi 

Prej gati dy dekadash funksiononte në heshtje një nga faqet më të errëta të internetit italian: Phica.eu. Një portal i hapur në vitin 2005, që u shndërrua me kalimin e kohës në një forum me mbi 200 mijë përdorues aktivë, ku shpërndaheshin pa pëlqim imazhe të grave të marra nga rrjetet sociale, nga momentet private apo të manipuluara në formë deepfake. Për viktimat – shumica gra të zakonshme, por edhe politikane të njohura – ky ishte një dënim publik digjital, i shoqëruar me mijëra komente seksiste e të dhunshme.

Alarmi i parë

Alarmi i parë u dha nga Valeria Campagna, 27 vjeç, këshilltare e Partisë Demokratike dhe nënsekretare e PD Lazio. Ajo zbuloi se një seksion i tërë i faqes ishte ndërtuar rreth imazheve të saj, të postuara e të komentuar çdo herë që shfaqej një foto e re.

“Nuk është thjesht problemi im, është problemi i të gjitha grave. Kjo është kulturë përdhunimi: e neveritshme, e papranueshme, që trajton trupin e gruas si mall për t’u konsumuar”, – denoncoi Campagna.

Rrëfimi i saj zbuloi një botë të tërë të dhunës seksuale virtuale: gra të ekspozuara pa dijeninë e tyre, foto të marra nga pushimet, nga momentet e jetës publike e private, të shndërruara në material për komente të turpshme e kërcënuese.

Politikanet në shënjestër

Një seksion i posaçëm i forumit i dedikohej grave në politikë. Në listë gjendeshin emrat e kryeministres Giorgia Meloni, sekretares së PD Elly Schlein, si dhe deputeteve, ministreve e ish-ministreve si Alessandra Moretti, Alessia Morani, Maria Elena Boschi, Mara Carfagna, Mariastella Gelmini, Licia Ronzulli, Anna Maria Bernini, Daniela Santanché, Susanna Ceccardi, Chiara Appendino, Alessandra Mussolini e të tjera.

Imazhet ishin të marra nga rrjetet sociale, të zmadhura në mënyrë abuzive apo të manipuluara me deepfake pornografikë. Një 'linçim dixhital” që synonte të zhveshte publikisht figurat femërore të jetës politike italiane.

Hetimet dhe mbyllja e faqes

Pas denoncimeve publike dhe reagimit të dhjetëra politikaneve, Policia Postale hapi një hetim penal kundër administratorëve të faqes. Faqja u bllokua dhe më pas u mbyll. Por ndërkohë doli në dritë një praktikë edhe më alarmuese: viktimave u kërkohej të dërgonin dokumente identiteti ose të paguanin shuma parash për të fshirë imazhet, një formë shantazhi e pastër.

Një plagë shoqërore

Skandali i Phica.eu vjen pak ditë pas mbylljes së grupit famëkeq në Facebook “Mia moglie”, me mbi 32 mijë anëtarë. Dy raste që dëshmojnë se dhuna seksiste digjitale nuk është episod i izoluar, por pjesë e një kulture të rrënjosur patriarkale, e cila e sheh trupin e gruas si pronë të tjetrit dhe jo si subjekt të lirë.

Ky rast ka hapur një debat politik e shoqëror mbi mungesën e mbrojtjes ligjore efektive dhe mbi nevojën për një strategji të qartë kombëtare e evropiane kundër dhunës digjitale me bazë gjinore.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco