Trupi i ndryshkur dhe kulla e mbyllur e një fabrike çeliku të falimentuar ngrihen mbi qytetin e Bethlehemit të Pensilvanisë, një kujtesë e një të kaluare industriale të begatë.
Dikur një nga kompanitë më të mëdha në SHBA, Bethlehem Steel Corporation prodhoi çelik për ndërtesën Empire State, urën Golden Gate dhe digën Hoover, dhe ndihmoi në fitimin e dy luftërave botërore.
Tani, në vendin ku ndodhej zhvillohen aktivitete muzikore, argëtuese, dhe prodhim artizanal.
Bethlehem është një shembull i një kalimi të suksesshëm nga e kaluara industriale në një të tashme prodhuese, por votuesit në këtë zonë të Pensilvanisë u kthyen fuqishëm drejt Donald Trump-it në zgjedhjet e vitit të kaluar, duke mbështetur premtimin e tij për ta "bërë Amerikën sërish të madhe".
Kryetari demokrat i Bashkisë së Bethlehem-it, J William Reynolds, tha se kjo ishte pasojë e "dekadave të mungesës së besimit dhe shpresës te qeveria, sektori publik dhe tek ajo që është e mundur për komunitetet kur njerëzit punojnë së bashku".
Republikanët vendas thonë se përgjigjja është më e thjeshtë: Demokratët e lanë pas dore klasën punëtore, ndërsa Trump u premton atyre një jetë më të mirë.
Debati politik në Bethlehem është ai që ka vite që shfaqet në të gjithë Amerikën. Ai do të ndikojë në zgjedhjet e mesmandatit të vitit të ardhshëm dhe në garën për Shtëpinë e Bardhë në vitin 2028.
Nëse Republikanët duan të mbajnë pushtetin, ata do të duhet të vazhdojnë të fitojnë votues në qytete si Bethlehem-i, në një nga zonat më të kontestuara politikisht të Pensilvanisë, shteti i lëkundur më tipik në çdo zgjedhje të fundit amerikane.
Nëse Demokratët duan të thyejnë fuqinë e Trump-it dhe të përmbysin politikat e tij mbi gjithçka, nga emigracioni te tarifat doganore e shkurtimet e Medicaid, ata do të kenë nevojë për Pensilvaninë, e cila votoi për Joe Biden-in në vitin 2020 por vitin e kaluar kaloi fuqishëm në kampin e mbështetësit të MAGA-s.
Gazeta Financial Times vizitoi Bethlehem-in këtë verë për të kuptuar çfarë është në lojë në një qytet ku zhvendosja drejt së djathtës, përbërja demografike, historia industriale, ndarjet politike dhe ambiciet tregojnë gjendjen e humorit në fushëbetejat elektorale të Amerikës.
Ne do të raportojmë gjerësisht nga Bethlehem-i dhe zona përreth deri me 7 nëntor 2028, kur SHBA do të zgjedhë presidentin e ri. Do t'u kërkojmë banorëve, drejtues biznesesh lokale dhe mësues, anëtarë sindikatash dhe punonjës shëndetësie, se si ndihen për ekonominë e Trump-it, për vendin e tyre dhe për polarizimin e thelluar politik.
Zona rreth Bethlehem-it pasqyron këto ndarje. Qyteti shtrihet mes qarqeve Lehigh dhe Northampton. Në zgjedhjet presidenciale të 2024-ës, Lehigh votoi ngushtë për Demokratët; Northampton votoi ngushtë për Republikanët.
Si Amerika, është një qytet në ndryshim.
Bethlehem-i mund të jetë ndërtuar nga çeliku, por kalimi i tij post-industrial drejt teknologjisë, logjistikës, arsimit dhe shëndetësisë shënon një largim nga rrënjët punëtore. Popullsia e tij është gati 80 mijë banorë, më e larta që ka qenë ndonjëherë. Banorët ankohen për koston e lartë të banimit. Por këtë vit, gazeta USA Today e shpalli rrugën kryesore të qytetit si më të mirën në vend.
Ndërsa Trump nis hetime ndaj kundërshtarëve politikë, përmbys rregullat e tregtisë globale, pushon punonjës federalë dhe ndryshon orientimin e politikës së jashtme amerikane, trazirat 240 km larg në Uashington, pa llogaritur Ukrainën apo Gazën, duken të largëta në Bethlehem.
Në një pasdite të qetë vere, banorët kërkonin hije pranë bibliotekës, shëtisnin para kafeneve dhe përgatiteshin për një festival muzikor.
Por nuk të duhet të kërkosh gjatë për të gjetur shenja se gjërat po ndryshojnë shpejt edhe në Bethlehem.
"E ndjeva valën," tha Ronnie Blaufarb, një këshilltar financiar i dalë në pension. "Papritur të gjithë po flisnin për Trump-in, ishte e pabesueshme. Nuk jam i sigurt nëse ishte për shkak të Trump-it apo sepse Demokratët kishin qenë kaq budallenj." Blaufarb tha se ishte "i kënaqur" me rendimentin e Trump-it deri tani, veçanërisht me uljen e taksave dhe fokusin tek "siguria kufitare".
Goditja e presidentit republikan ndaj emigrantëve pa dokumente, një pjesë e rëndësishme e fuqisë punëtore në Bethlehem si në gjithë SHBA-në, tashmë ka lënë gjurmë në qytet. Më herët këtë verë, Shërbimi i Imigracionit dhe Doganave bastisi një kantier ndërtimi në Bethlehem, për apartamente luksoze, dhe arrestoi 17 persona që punonin atje.
Disa njerëz në Bethlehem protestuan ndaj arrestimeve, duke marshuar drejt bashkisë me pankarta "Jepini fund racizmit".
Por deri tani, shumë nga kundërshtimet ndaj Trump-it në Bethlehem po ndodh nën sipërfaqe, në qeverisjen lokale dhe në shoqatat prind-mësues. "Një nga gjërat që themi shpesh këtu është se ka një ndryshim mes të thënit që po ndihmon njerëzit dhe t'i ndihmosh ata vërtet," tha Reynolds. "Qëllimi ynë është t'i ndihmojmë njerëzit."
Glenn Geissinger, kryetar i Komitetit Republikan të Qarkut Northampton, ka studiuar në Bethlehem dhe jeton aty pranë. Ai tha se ai dhe republikanët e tjerë kanë qenë "shumë të kënaqur" me presidencën e Trump-it deri tani.
"Ne donim rrugë më të sigurta, tani i kemi. Donim emigracion të rregullt, tani e kemi," tha Geissinger. "Këto janë gjërat për të cilat votuam."
Geissinger kishte shpjegimin e tij për popullaritetin e rritur të Trump-it në një qytet ku dikur punëtorët e sindikalizuar të çelikut ishin mbështetës të fortë të Partisë Demokratike. Sipas tij, partia ishte kapur nga "elitat intelektuale" për t'iu drejtuar "votuesit të bardhë me arsim universitar", duke lënë të tjerët pas.
Ai shtoi gjithashtu se votuesit hispanikë, Bethlehem-i është afro 30 për qind hispanik, janë zhvendosur djathtas. Ata "vlerësojnë më shumë vlerat tradicionale, të orientuara nga familja, të Partisë Republikane", tha ai.
Imigracioni dhe ekonomia ishin arsyet pas mbështetjes së Juan Reynoso-s për Trump-in. Reynoso, i cili punon si ndërmjetës i Medicare në Palmer Township aty pranë, tha se shqetësimi i tij kryesor ishte "të sigurohet që ata që janë të ligjshëm, të marrin punë dhe gjithçka që u nevojitet, ndërsa ata që janë të jashtëligjshëm të mos jenë në zonë".
Për kryebashkiakun Reynolds, rikthimi i besimit te qeveria është çelësi për të fituar sërish votuesit. Ai është rritur rreth 1600 metra larg nga zyra e tij e bashkisë dhe hyri në politikë pasi mori pjesë në një mbledhje të këshillit bashkiak si student i ri.
Reynolds tha se mësimet politike nga e kaluara e Bethlehem-it si qytet i çelikut dhe nga prosperiteti i sotëm po minohen nga politikat e Trump-it.
"Ky qytet kryesisht punëtor priti emigracionin nga e gjithë bota," tha Reynolds. "U dha atyre mundësinë të ndjekin vërtet ëndrrën amerikane."
Ai gjithashtu ka frikë se Shtëpia e Bardhë mund të mos jetë e gatshme të bashkëpunojë me një qeverisje vendore të vogël demokrate si e tija, duke e bërë më të vështirë realizimin e projekteve lokale, përfshirë rrugë të reja ose investime të tjera.
Duke folur në një berberhane në Bethlehem, kongresisti republikan i Luginës Lehigh, Ryan Mackenzie, nuk u pajtua. Ai tha se kishte votuar për ligjin më të rëndësishëm të presidentit, të cilin Trump e quan "big, beautiful bill", që ul taksat për më të pasurit, por përfshin edhe shkurtime të Medicaid, të cilat shumë thonë se do të dëmtojnë më të varfrit e vendit.
Ligji "përfshin shumë ndryshime që do të ndihmojnë popullin amerikan," tha Mackenzie. Ai shtoi se kishte "shumë raportime të rreme për atë që mund të ishte në projektligj dhe taktika frikësuese".
Votuesit e Bethlehem-it do të duhet gjithashtu të vendosin në muajt e ardhshëm nëse Trump po mban premtimet për të rikthyer industrinë në shtete si Pensilvania.
Por nuk është e qartë nëse ish-qyteti i çelikut ka nevojë, apo edhe dëshirë, për një rilindje të tillë. Edhe gjatë kulmit të industrisë së çelikut, qyteti kishte nevojë për alternativa.
Sallat e mëdha të Muzeut Kombëtar të Historisë Industriale të qytetit janë të mbushura me makina të lyera me ngjyra të forta, relikte të një epoke të shkuar që Trump ka premtuar ta rikthejë.
Thomas Necker, specialist ekspozitash, tregoi funksionin e ndërlikuar të një tezgjahu në stilin Jacquard. Ndërsa kompania e çelikut ndërtoi qytetin, tha ai, industria u plotësua nga endja. "Ky qytet ishte mëndafsh dhe çelik," tha ai. "Një shembull i mirë i diversifikimit."
Reynolds dhe Geissinger kishin dallime të thella mbi vizionin e Trump-it, por kishin shpresa të ngjashme për zonën e tyre.
"Njerëzit duan punë, duan rezultate, duan të mbajnë familjet e tyre, duan siguri," tha republikani Geissinger.
Reynolds, demokrati, tha se e ardhmja ende duhet të pasqyrojë ëndrrën amerikane.
"Që të mund të vish këtu, pavarësisht kush je, sa të ardhura ke, çfarë arsimimi ke, dhe të kesh mundësinë të lëvizësh," tha ai. / Financial Times - Syri.net
© SYRI.net