Platforma profesionale LinkedIn ka paralajmëruar kërkuesit e punës që të tregohen të kujdesshëm ndaj mashtrimeve që shfaqen në këtë periudhë, përpara një vale të re rekrutimesh pas pushimeve verore. Me kthimin e shumë personave nga pushimet dhe nisjen e kërkimit për mundësi të reja pune, ekspertët vërejnë një rritje të ofertave të rreme dhe shërbimeve të dyshimta të shkrimit të CV-ve.
Sipas një deklarate për Euronews Next, shumë prej këtyre ofertave përdorin mjete të inteligjencës artificiale dhe përpiqen të zhvendosin komunikimin jashtë platformës. Shumë shpesh ato vijnë nga individë që nuk janë pjesë e rrjetit të LinkedIn të përdoruesve.
“Procesi i kërkimit të punës mund të jetë stresues dhe kjo i bën njerëzit më të cenueshëm, sidomos të sapodiplomuarit,” tha Oscar Rodriguez, nënkryetar i besueshmërisë në LinkedIn, duke shtuar se mashtruesit shpesh përfitojnë nga ankthi dhe mungesa e përvojës.
Paralajmërimi vjen në një moment kur pritet një rritje e ndjeshme e punësimeve në shtator – në Francë rekrutimet rriten me 113 për qind krahasuar me pjesën tjetër të vitit, ndërsa në Holandë dhe Mbretërinë e Bashkuar shifrat arrijnë 65 për qind dhe 44 për qind.
Ekspertët e tregut të punës këshillojnë aplikantët të vëzhgojnë me kujdes postimet e punës që shpesh kanë kërkesa shumë të përgjithshme, ofrojnë paga jorealiste apo mungesë kontakti konkret. Një tjetër shenjë paralajmëruese është kërkesa për të zhvilluar komunikimin në platforma jo-profesionale, si mesazhe private apo aplikacione të tjera.
LinkedIn këshillon që bisedat me rekrutues të verifikohen, duke kontrolluar profilin, aktivitetin dhe badge-un e verifikimit. Gjithashtu, aplikantët nuk duhet të japin të dhëna sensitive si numra sigurimesh, pasaporte apo llogarie bankare.
Si LinkedIn, edhe platforma e punësimit Indeed sugjeron që kandidatët të fokusohen vetëm tek ofertat me përshkrime të detajuara dhe të verifikojnë çdo kompani para se të aplikojnë.
© SYRI.net