Grupi mediatik i Trump-it në marrëveshje 6 miliardë dollarëshe për të blerë token-at e Crypto.com

Grupi mediatik i Trump-it në marrëveshje 6 miliardë dollarëshe për të blerë token-at e Crypto.com

14:33, 28/08/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Grupi mediatik i familjes Trump ka rënë dakord për një marrëveshje shumë miliardëshe për të blerë token-in e nxjerrë nga platforma e këmbimit të kriptomonedhave Crypto.com, duke forcuar edhe më shumë lidhjet mes bizneseve të presidentit amerikan dhe industrisë së aseteve digjitale.

Trump Media & Technology Group (TMTG), që kontrollohet nga familja Trump dhe që zotëron aplikacionin Truth Social, tha të martën se ka nënshkruar një marrëveshje me vlerë 6.4 miliardë dollarë për të krijuar “kompaninë e parë dhe më të madhe publike të thesarit me token-in CRO”. CRO është monedha kryesore e blockchain-it të Crypto.com, të quajtur Cronos.

Kjo është marrëveshja më e fundit e lidhur me kriptovalutat nga një biznes i afërt me presidentin amerikan, në një kohë kur ai ka mbështetur hapur industrinë, ka pritur drejtues të saj në Shtëpinë e Bardhë dhe ka nxitur krijimin e ligjeve të rëndësishme për rregullimin e sektorit, ndërsa njëkohësisht ka marrë miliona dollarë donacione nga kompanitë e kriptomonedhave për fushatat e tij.

Është gjithashtu marrëveshja më e fundit e profilit të lartë për të ashtuquajturat “kompani thesari të kriptove”, ku kompani pa aktivitet real ose në vështirësi financiare blejnë në masë monedha digjitale për të rritur vlerën e aksioneve të tyre. Pas lajmit, çmimi i token-it CRO u rrit me 35% duke arritur në 0.21 dollarë, sipas të dhënave të LSEG, ndërsa aksionet e TMTG u rritën me 6%.

Qindra marrëveshje të ngjashme janë bërë këtë vit, kryesisht për blerjen e bitcoin dhe ether, por edhe të monedhave më të vogla, përfshirë monedhën $TRUMP të presidentit dhe token-in BNB të Binance.

Kris Marszalek, drejtori ekzekutiv i Crypto.com, tha se platforma ka blerë gjithashtu 50 milionë dollarë aksione të TMTG, ndërsa grupi mediatik bleu 105 milionë dollarë token CRO. Ai shtoi se CRO do të bëhet “monedha e platformës Truth Social si pjesë e këtij partneriteti strategjik të gjerë”, pa dhënë më shumë hollësi.

Marszalek është një nga disa drejtues të industrisë së kriptos që ka vizituar Shtëpinë e Bardhë dhe është takuar me Trump-in që nga kthimi i tij në Washington.

TMTG dhe Crypto.com njoftuan gjithashtu se Yorkville Acquisition Corp, një kompani “blank-cheque” e listuar në Nasdaq, do të blejë 1 miliard dollarë token CRO dhe do të ndryshojë simbolin e saj në bursë në Make CRO Great Again. Kompanitë thanë gjithashtu se kanë në dispozicion 420 milionë dollarë në para dhe garanci, si dhe një linjë kredie aksionesh prej 5 miliardë dollarësh nga fondi i investimeve Yorkville Advisors, para që do të përdoren për të blerë edhe më shumë token CRO.

TMTG po mbledh veçmas edhe 2.5 miliardë dollarë për të blerë bitcoin si pjesë e strategjisë së saj të thesarit me bitcoin. Crypto.com do të ofrojë gjithashtu shërbime ruajtjeje dhe teknologjie për fondet e tregtuara në bursë (ETF) me bitcoin që kompania po nxjerr.

Presidenti dhe familja e tij janë përfshirë edhe në sipërmarrje të tjera me kriptovaluta,  Trump dhe gruaja e tij Melania hodhën në treg monedha memecoin në fillim të këtij viti, ndërsa djemtë e tij drejtojnë një kompani asetesh digjitale që ka strategjinë e vet të thesarit, token-in dhe stablecoin-in e vet.

Nën administratën e Joe Biden, Crypto.com u hetua nga Komisioni i Letrave me Vlerë dhe Shkëmbimeve (SEC). Në mars të këtij viti, SEC e mbylli hetimin ndaj platformës. / Financial Times - Syri.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco