Ambasadori i Federatës Ruse në Mbretërinë e Bashkuar, Andrey Kelin, është thirrur zyrtarisht në Ministrinë e Jashtme në Londër, pas sulmeve ajrore të Moskës gjatë natës në Kiev, ku ndër të tjera u goditën edhe zyrat e Këshillit Britanik.

Kelin u pa duke mbërritur në ambientet e Ministrisë në Westminster, vetëm pak orë pas ngjarjes që ka tronditur diplomacinë perëndimore.
Thirrja e një ambasadori konsiderohet një prej masave më serioze të protestës diplomatike, që një vend mund të ndërmarrë pa kaluar në prishje zyrtare marrëdhëniesh.

Zyra e Jashtme britanike i ka dërguar ambasadës ruse një notë diplomatike me kërkesën për sqarime mbi sulmet që prekën objektet kulturore dhe diplomatike në Kiev – përfshirë bazën e Këshillit Britanik, ku u plagos edhe një roje.
Ish-ambasadori britanik në Egjipt, John Casson, e përshkroi këtë veprim si pjesë të “teatrit diplomatik”, ku mesazhi dërgohet jo vetëm përmes fjalëve, por edhe përmes veprimeve simbolike që vendosin presion ndërkombëtar.

Për momentin, Ministria e Jashtme britanike nuk ka bërë publike detaje të tjera nga takimi me ambasadorin rus, ndërsa reagimet ndërkombëtare ndaj sulmit janë në rritje.

© SYRI.net