Zelanda e Re ka nisur një fushatë kombëtare për të gjetur një partner për Nedin, një kërmill shumë të rrallë kopshti me një tipar të pazakontë – guaska e tij përdridhet majtas, duke e bërë çiftëzimin pothuajse të pamundur, shkruan The Guardian.
Ndryshe nga shumica e kërmijve të kopshtit, guaskat e të cilëve përdridhen djathtas, spiralja e Nedit e bën që organet e tij riprodhuese të jenë të përmbysura, gjë që krijon pengesa të mëdha për çiftëzim. Ky fenomen është tepër i rrallë, duke prekur vetëm një në 40,000 kërmij.
Nedi u zbulua javën e kaluar në Wairarapa, në veri të Wellingtonit, nga ilustruesja Giselle Clarkson, e cila vuri re se guaska e tij ishte ndryshe nga kërmijtë e tjerë. Pas këtij zbulimi, ajo kontaktoi revistën New Zealand Geographic dhe bashkë me të nisi një fushatë të veçantë për të gjetur një partner për kërmillin e rrallë.
Fushata u bën thirrje qytetarëve në mbarë vendin që të kontrollojnë kopshtet dhe parqet e tyre, dhe kushdo që gjen një kërmill me guaskë të përdridhur majtas ftohet të njoftojë organizatorët.
Edhe pse Nedi konsiderohet një dëmtues i zakonshëm në kopshtet e Zelandës së Re, iniciativa ka një mision më të gjerë – të nxisë njerëzit të lidhen më shumë me natyrën dhe të vlerësojnë biodiversitetin unik të vendit.
© SYRI.net