Ministri i Mbrojtjes së Gjermanisë, Boris Pistorius, ka prezantuar projektligjin e ri për modernizimin e shërbimit ushtarak, i cili parashikon rekrutimin e rreth 100 mijë personelëve të rinj deri në vitin 2030.
Qeveria federale ka miratuar nismën që synon të promovojë rekrutimin vullnetar, ndërsa në planin afatgjatë parashikohet rritja e numrit të trupave të përhershme dhe profesioniste në të paktën 260 mijë deri në vitin 2035, e bashkë me rezervistët në 460 mijë.
“Një Bundeswehr funksional kërkon një vend funksional. Një ushtri e fortë – për sa i përket personelit dhe pajisjeve – është mjeti më efektiv për parandalimin e luftërave”, u shpreh Pistorius gjatë prezantimit të Aktit të Modernizimit të Shërbimit Ushtarak. Sipas tij, faza e parë e shërbimit do të mbetet vullnetare, me synimin që të tërhiqen sa më shumë të rinj.
Nga viti 2026, të gjithë të rinjtë gjermanë do të marrin një pyetësor nga Bundeswehr-i, për gjendjen shëndetësore, arsimimin dhe interesin për t’u rekrutuar. Plotësimi do të jetë i detyrueshëm për burrat dhe vullnetar për gratë, sipas Kushtetutës gjermane. Nëse shifrat e synuara nuk arrihen, projektligji parashikon që Bundestagu mund të rikthejë shërbimin e detyrueshëm me një amendament të thjeshtë.
Kancelari gjerman Friedrich Merz la të hapur mundësinë e ndryshimeve, duke theksuar se ligji parashikon rregullime nëse është e nevojshme. Por brenda CDU-së ka pasur kritika, ku zëra si Thomas Röwekamp dhe Norbert Röttgen kanë shprehur dyshime mbi efikasitetin e modelit vullnetar.
Nga ana tjetër, presidenti i Shoqatës së Rezervistëve, Patrick Sensburg, e konsideroi modelin një hap të rëndësishëm, por nënvizoi se vetëm shërbimi i detyrueshëm do të garantonte mjaftueshëm rezervistë për të ardhmen.
Qeveria gjermane synon që përmes këtij modeli të ofrojë edhe mundësi zhvillimi për të rinjtë, duke përfshirë trajnime për përdorimin e dronëve, kurse gjuhe, mbështetje për marrjen e patentës së drejtimit dhe aktivitete sportive. Pistorius theksoi se shërbimi ushtarak duhet të shihet si një përvojë e veçantë dhe kuptimplotë për pjesëmarrësit, duke i inkurajuar ata të ndihen krenarë për angazhimin e tyre.
© SYRI.net