Lajmi i fundit

Përplasje fizike në sallën e Gjykatës së Posaçme, të pandehurit konfliktohet brenda kafazit të xhamit

Romano Prodi: Europa u poshtërua nga pakti Trump-Putin. Italia rrezikon autoritarizëm

Romano Prodi: Europa u poshtërua nga pakti Trump-Putin. Italia rrezikon autoritarizëm

10:19, 27/08/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Ish-kryeministri italian dhe ish-presidenti i Komisionit Europian, Romano Prodi, ka lëshuar një paralajmërim të fortë mbi gjendjen e demokracisë në Perëndim dhe rolin gjithnjë e më të zbehur të Europës në skenën botërore. Në një intervistë për gazetën italiane La Repubblica, Prodi ka komentuar zhvillimet më të fundit ndërkombëtare, duke i përshkruar si një “hije e zezë që po shtrihet mbi botën”.

“Europa, një vazo qelqi mes vazove prej hekuri”

Prodi ka vënë në dukje se takimi i fundit mes Donald Trump dhe Vladimir Putin konfirmon ndërtimin e një boshti të ri gjeopolitik, ku Europa nuk ka zë. Ai e ka quajtur këtë situatë një poshtërim për BE-në, duke përdorur metaforën e njohur: “Europa është një vaso qelqi mes vazove prej hekuri”.

Në këtë kuadër, Kina forcon gjithnjë e më shumë aleancën e saj me Rusinë, duke ndërtuar së bashku me SHBA-të një arkitekturë të re globale. Sipas Prodit, kjo trinomë gjeopolitike rrezikon të shndërrohet shpejt në një bipolarizëm i ri, ku Europa zhduket nga skena si aktor i pavarur. “Kjo është dekadenca e Perëndimit”, ka deklaruar ai, duke paralajmëruar se nëse nuk ndërmerret një hap i guximshëm drejt integrimit politik, ushtarak dhe diplomatik, Bashkimi Europian është i destinuar të shkojë drejt vetëvrasjes strategjike.

Kritika ndaj lidershipit europian

Në qendër të kritikave të Prodit është edhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, të cilën ai e ka cilësuar si një “lidere barometrike”, që reagon vetëm ndaj presioneve të jashtme. “Është si një orë me kukuvajkë që shfaqet vetëm kur ndryshon presioni i jashtëm”, ka ironizuar ish-presidenti i Komisionit, duke nënvizuar mungesën e një udhëheqjeje reale e të pavarur në Bruksel.

Italia dhe rreziku i autoritarizmit

Pjesë e analizës së tij është edhe situata politike në Itali. Prodi ka paralajmëruar se mungesa e një opozite të fortë përbën një rrezik të madh për ekuilibrat demokratikë. “Pa opozitë, qeveria mund të bëjë gjithçka dhe të fitojë gjithmonë”, ka thënë ai, duke e përshkruar këtë realitet si një rëshqitje të rrezikshme drejt autoritarizmit.

Demokracia amerikane në krizë

Duke iu referuar Shteteve të Bashkuara, Prodi ka folur për një dobësim të dukshëm të institucioneve demokratike: “Në SHBA, procesi i erozionit të demokracisë ka filluar tashmë”, ka thënë ai, duke e lidhur këtë edhe me qëndrimet kontradiktore të Trump ndaj presidentit ukrainas Zelensky – një ditë duke e përqeshur dhe ditën tjetër duke e përqafuar – sjellje që sipas Prodit minojnë stabilitetin e aleancës perëndimore.

Çështja palestineze dhe “vetëvrasja e Europës”

Një tjetër pikë që Prodi ka theksuar është çështja palestineze, të cilën e konsideron një prej nyjeve të pazgjidhura të politikës europiane. Ai ka kërkuar që BE të ndërpresë disa marrëveshje me Izraelin dhe të njohë shtetin e Palestinës. Por sipas tij, rregulli i unanimitetit në vendimmarrjen e Unionit e paralizon çdo hap të tillë. “Ky është një vetëvrasje i Europës”, ka deklaruar ai.

Një alarm për të ardhmen

Mesazhi i Prodit është i qartë: demokracia është në rrezik dhe Europa po humb peshën e saj historike. Pa një reagim të bashkuar dhe të vendosur, kontinenti rrezikon të mbetet spektator në një botë që po drejtohet nga boshtet e reja autoritare.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco