Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi sot se do të takohet me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, “në një moment të caktuar”, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi kohën apo vendin e mundshëm të takimit.
“Kam një marrëdhënie shumë të mirë me Kim Jong Unin,” tha Trump, duke theksuar raportet personale me liderin verikorean.
Ndërsa u takua me Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti i Koresë së Jugut, Lee Jae Myung, i kërkoi presidentit amerikan të punonte për vendosjen e paqes në Gadishullin Korean.
“Mendoj se jeni presidenti i parë që keni kaq shumë interes për çështjet e paqes në botë dhe që keni arritur vërtet arritje”, tha Lee.
“Pra, shpresoj se do të bëni paqe në Gadishullin Korean, i cili mbetet i vetmi vend i ndarë në botë, dhe do të takoheni me (udhëheqësin e Koresë së Veriut) Kim Jong Un”, shtoi ai.
Lee me shaka sugjeroi që një kullë Trump duhet të ndërtohet në Korenë e Veriut, “në mënyrë që unë të mund të shkoj të luaj golf edhe në Phenian”.
Koreja e Veriut dhe ajo e Jugut kanë qenë shtete të ndara që nga fundi i Luftës Koreane në vitin 1955 dhe ndajnë një kufi shumë të militarizuar, duke e bërë çdo zhvillim diplomatik shumë të ndjeshëm për sigurinë rajonale.
© SYRI.net