Lavrov: Putin kërkon të rifillojë bisedimet ruso-ukrainase nga Stambolli – Takimi me Zelensky nuk u diskutua në Alaska

Lavrov: Putin kërkon të rifillojë bisedimet ruso-ukrainase nga Stambolli – Takimi me Zelensky nuk u diskutua në Alaska

17:50, 24/08/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, deklaron se presidenti Vladimir Putin është i gatshëm të rifillojë negociatat direkte me Ukrainën, duke u rikthyer te bisedimet e nisura më herët në Stamboll.

Në një deklaratë për mediat, Lavrov bëri të ditur se pas një telefonate që presidenti rus ka marrë nga Donald Trump, menjëherë pas takimit të këtij të fundit me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë, Putin ka shprehur gatishmërinë për të vijuar dialogun diplomatik.

Putin ka deklaruar qartë se është i gatshëm të vazhdojë negociatat direkte ruso-ukrainase që nisën në Stamboll. Ai theksoi se takimet në nivelin më të lartë, sidomos midis liderëve të Rusisë dhe Ukrainës, duhet të përgatiten me shumë kujdes”, u shpreh Lavrov.

Shefi i diplomacisë ruse shtoi gjithashtu se Moska ka propozuar rritjen e nivelit të delegacioneve pjesëmarrëse në bisedimet në Stamboll, për të adresuar çështje të rëndësishme që më pas mund t’u paraqiten për vendimmarrje liderëve të dy vendeve.

Asnjë diskutim për takim Putin–Zelensky në bisedimet në Alaska

I pyetur nëse gjatë bisedimeve mes Trump dhe Putin në Alaska është diskutuar një takim i mundshëm midis presidentëve Putin dhe Zelensky, Lavrov e mohoi kategorikisht një gjë të tillë.

Kjo temë nuk është ngritur në Anchorage. U shfaq më pas, si diçka e improvizuar që doli nga takimi në Uashington mes presidentit Trump dhe të ftuarve të tij,” tha Lavrov në një intervistë për NBC News, të publikuar edhe në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme ruse.

Duke komentuar deklaratat e Zelensky-t, Lavrov shtoi:

Kur Zelensky thotë se prioriteti i tij është një takim me Putinin, ai në fakt po luan një lojë. Një lojë të cilën e di mirë si ta bëjë, sepse kërkon teatrikë në çdo gjë që bën. Nuk i intereson përmbajtja reale.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco