Dy të tretat e vendeve evropiane nuk kanë arritur ende objektivin e BE-së për të ulur nën 9% numrin e të rinjve që nuk janë as në punësim, as në arsim apo trajnim (NEET). Shifrat e Eurostat për vitin 2024 tregojnë se 11% e të rinjve të moshës 15–29 vjeç në Bashkimin Evropian mbeten jashtë tregut të punës dhe arsimit, ndërsa vetëm 11 nga 34 vende kanë arritur objektivin e vendosur për vitin 2030.
Sipas të dhënave, diferencat mes vendeve janë të mëdha. Holanda ka përqindjen më të ulët me 4.9%, ndërsa Rumania shënon 19.4%. Ndër vendet kandidate për BE, Turqia ka nivelin më të lartë, me 25.9% të të rinjve që klasifikohen si NEET, e ndjekur nga Bosnja dhe Hercegovina me 22.2%.

Në Evropën Jugore dhe Juglindore shifrat janë dukshëm më të larta, ndërsa vendet veriore dhe perëndimore rezultojnë më të suksesshme në integrimin e të rinjve. Italia (15.2%), Franca (12.5%), Spanja (12%) dhe Mbretëria e Bashkuar (12.1%) janë mes ekonomive të mëdha që qëndrojnë mbi mesataren e BE-së, ndërsa Gjermania raporton vetëm 8.5%.
Raporti i OECD-së thekson se arsye kryesore për normat e larta NEET janë rezultatet e dobëta arsimore dhe mospërputhja e aftësive me kërkesat e tregut të punës. Në Turqi, ku hendeku gjinor është më i theksuari, 36.4% e grave të reja janë NEET kundrejt 15.8% të burrave. Edhe në Rumani e Çeki, dallimet mes gjinive mbeten të theksuara.
Ekspertët paralajmërojnë se shumica e të rinjve NEET nuk janë thjesht të papunë, por jashtë fuqisë punëtore dhe nuk kërkojnë punë në mënyrë aktive. Kjo problematikë shihet sidomos tek gratë, të cilat shpesh mbeten jashtë tregut për shkak të detyrave familjare dhe mungesës së mbështetjes sociale.

BE synon ta ulë këtë përqindje në nën 9% deri në vitin 2030, por për momentin hendeku mes vendeve mbetet i madh dhe përbën një sfidë serioze për zhvillimin ekonomik dhe social të kontinentit.
© SYRI.net