Presidenti rus, Vladimir Putin, deklaroi se Rusia pret një rikthim të plotë të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara.
Takimi me Trump në Alaskë ishte “i rëndësishëm dhe i hapur”. Marrëdhëniet midis Rusisë dhe SHBA-ve janë në një nivel të ulët, por me ardhjen e Trump “ka një dritë në fund të tunelit”. Kështu deklaroi president i Rusisë, Vladimir Putin i cituar nga agjencia e lajmeve ruse Ria Novosti.
Kontaktet midis Moskës dhe Uashingtonit vazhdojnë në nivel ministror dhe biznesi. Ndërsa Putin pret që hapat e parë nga Rusia dhe SHBA të jenë “fillimi i rikthimit të plotë të marrëdhënieve dhe që ritmi i punës për arritjen e këtij qëllimi të mbahet. Por rezultati varet kryesisht nga partnerët perëndimorë” ka thënë Putin gjatë një takimi me punonjësit e industrisë bërthamore ruse.
Sa i takon luftës në Ukrainë, ai akuzoi Kievin se ka nisur i pari luftën.
Rusia po bën gjithçka për të ndalur luftën, tha presidenti rus Vladimir Putin, i cituar nga Ria Novosti. “Thonë se ne e nisëm luftën, duke harruar se ata vetë e nisën në 2014, kur përdorën tanke dhe avionë kundër popullsisë civile të Donbasit. Atëherë filloi lufta, dhe ne po bëjmë gjithçka për ta ndalur,” shtoi Putin gjatë një takimi me punonjësit e industrisë bërthamore ruse.
Të rritet potenciali i energjisë bërthamore
Ai ka kërkuar të rritet potenciali i energjisë bërthamore
“Shkencëtarët bërthamorë rusë janë të parët që sot kanë nisur prodhimin në seri të reaktorëve më të sigurt të gjeneratës së tretë. Po zhvillohen tashmë zgjidhje krejtësisht të reja dhe sisteme energjetike të gjeneratës së katërt. Kjo do të na lejojë të eliminojmë mbeturinat radioaktive dhe të shumëfishojmë potencialin e energjisë bërthamore,” deklaroi presidenti rus, Vladimir Putin, gjatë takimit me specialistët e industrisë bërthamore në Sarov.
Sipas Putinit, “Rusia nuk ka vende armike, por ka elita armike brenda shteteve. Në Perëndim qarkullon propagandë: thonë se Rusia ka nisur luftën, duke harruar se lufta filloi në 2014 kundër popullsisë së Donbasit dhe se Moska po bën gjithçka për ta ndalur. Rusia vazhdon të punojë në sektorin bërthamor me vendet perëndimore dhe NATO-n. Moska vazhdon të furnizojë me karburant bërthamor vende armike, dhe në sasi të konsiderueshme. Shkencëtarët rusë vazhdojnë bashkëpunimin me specialistë europianë. Edhe para nisjes së operacionit special, Moska po zhvillonte marrëdhënie me vende mike. Sa i përket aspektit pragmatik të biznesit, kemi mjaft porosi. Sot jemi liderët botërorë. Rosatom është lider absolut në energjinë bërthamore globale. Asnjë kompani tjetër në botë nuk ndërton kaq shumë impiante dhe kaq shumë jashtë vendit.” /Repubblica/
© SYRI.net