Miliarderi i teknologjisë, Elon Musk, duhet të përballet me një padi se komiteti i veprimit politik, (America PAC) ka kryer mashtrim duke i thënë votuesve se kishin mundësinë të fitonin rastësisht 1 milion dollarë, megjithëse fituesit ishin përcaktuar më parë.
Gjatë fushatës për të mbështetur republikanin Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit 2024 Musk i dha çek prej 1 milion dollarësh 9 pjesëmarrësve në takimet elektoral, organizuar nga një komitetit i veprimit politik, krijuar nga ai vetë (America PAC),
Të mërkurën, gjyqtari federal Robert Pitman, vendosi kundër kërkesës së Musk për të rrëzuar padinë e ngritur nga Jacqueline McAferty, një qytetare nga Arizona, e cila e akuzon atë dhe komitetin PAC për mashtrim dhe shkelje kontrate. Gjyqtari Pitman do të lejojë që akuzat për mashtrim dhe shkelje kontrate të vazhdojnë në gjykatë, por hodhi poshtë pretendimin e McAferty se Musk kishte shkelur Ligjin e Teksasit për Praktikat Tregtare Mashtruese.
Avokatët që përfaqësojnë Musk dhe super PAC-un e tij nuk kanë kthyer menjëherë një përgjigje për kërkesën për koment. McAferty përfaqësohet nga një avokat nga Teksasi, Tom Kherkher, i cili përgëzoi vendimin e gjyqtarit.
“Ky vendim është hapi i parë për të vërtetuar bindjen tonë se votuesit në shtetet kyçe nuk morën kurrë pjesë në një ‘dhuratë të rastësishme’, por ishin pjesë e një skeme për të mbledhur të dhëna personale nën pretendime të rreme,” tha Kherkher në një deklaratë për HuffPost.
Musk u përball me disa padi në nëntor 2024, pasi komiteti i tij, America PAC, premtoi mbështetësve të presidentit Donald Trump në shtetet kyçe një mundësi për të fituar 1 milion dollarë. Për të pasur mundësi të fitonin paratë – të cilat Musk pretendoi se do të shpërndaheshin rastësisht – votuesit si McAferty duhej të jepnin informacionet e tyre personale dhe të nënshkruanin një peticion online “në mbështetje të lirisë së fjalës dhe të drejtës për të mbajtur armë”.
Ndërsa Musk shpërndau paratë tek nëntë fitues, PAC-i i tij i tha një gjyqtari në Pennsylvania se fituesit ishin zgjedhur manualisht “bazuar në përshtatshmërinë e tyre” për të shërbyer si zëdhënës të PAC-it.
Në vendimin e tij, gjyqtari Pitman i referohet dëshmisë së dhënë nga Chris Young, drejtori i PAC-it, një ditë para zgjedhjeve.
“Young dëshmoi se ata që u zgjodhën për të fituar 1 milion dollarë nuk u përzgjodhën rastësisht, por America PAC kërkoi individë që kishin nënshkruar peticionin dhe që mendonte se do të ishin të përshtatshëm për të përfaqësuar organizatën si zëdhënës,” thuhet në vendim. “Bazuar në këtë dëshmi, padia pretendon se përfituesit nuk u zgjodhën rastësisht, por u përzgjodhën bazuar në historitë e tyre personale dhe më pas nënshkruan një kontratë me America PAC për të qenë zëdhënësit e tyre.”
Gjykatësi federal Pitman gjithashtu hodhi poshtë pretendimin e avokatëve të Musk se vendimi i PAC-it për të “parapërcaktuar” fituesit është në përputhje me përzgjedhjen rastësore.
“Argumenti i të Paditurve në këtë pikë është plotësisht i pamjaftueshëm,” shkroi Pitman, duke dhënë edhe definicionin e fjalës “rastësisht” sipas Merriam-Webster.
“Nëse të Paditurit kanë parapërcaktuar fituesit e 1 milion dollarëve bazuar në historitë e tyre personale dhe jo rastësisht, siç pretendon Paditësja, atëherë përfituesit sigurisht nuk janë zgjedhur në një mënyrë që ‘mungon një plan, qëllim ose model i caktuar’,” tha Pitman.
Gjyqtari shtoi se “menyra se si u përzgjodhën fituesit e 1 milion dollarëve do të sqarohet përmes hetimeve dhe procedurës së zbardhjes së fakteve (discovery).” /Huffpost/
© SYRI.net