Një autobus turistik që po kthehej në qytetin e New York-ut nga Ujëvarat e Niagarës është përfshirë në një aksident të rëndë në autostradën I-90 pranë Pembroke, rreth 40 kilometra në lindje të qytetit Buffalo.
Sipas autoriteteve, ka disa viktima dhe të plagosur, përfshirë edhe fëmijë.
Policia e Shtetit të New York-ut ka konfirmuar se autobusi është përmbysur pasi ka humbur kontrollin për arsye ende të panjohura. ‘Disa persona kanë mbetur të bllokuar brenda autobusit, ndërsa të tjerë janë hedhur jashtë për shkak të përplasjes,’ deklaroi zëdhënësi i policisë, James O’Callaghan, në një konferencë për shtyp të raportuar nga CNN.
Në autobus ndodheshin mbi 50 persona dhe operacionet e shpëtimit janë ende në vazhdim. Autoritetet janë në vendngjarje duke punuar për të nxjerrë të bllokuarit dhe për të ofruar ndihmën e nevojshme mjekësore.
Guvernatorja e shtetit të New York-ut, Kathy Hochul, reagoi përmes një postimi në rrjetin X (ish-Twitter): ‘Jam informuar për aksidentin tragjik të autobusit turistik. Ekipi im po punon ngushtë me Policinë e Shtetit dhe autoritetet lokale për të ofruar ndihmë dhe mbështetje për të gjithë të përfshirët.’
Hetimet për të zbardhur shkakun e aksidentit janë ende në fazë fillestare.
© SYRI.net