Ministria e Arsimit e Danimarkës njoftoi se nga viti 2026, nxënësit e shkollave të mesme do të mund të përdorin inteligjencën artificiale gjatë provimit të tyre me gojë në anglisht.
Sipas udhëzimeve të reja, gjatë fazës përgatitore të provimit — ku nxënësit kanë një orë për t’u përgatitur pas dhënies së temës — do t’u lejohet përdorimi i të gjitha mjeteve, përfshirë inteligjencën artificiale gjeneruese, gjë që më parë ishte e ndaluar. Pas kësaj periudhe përgatitore, studentët do të japin provimin me gojë para një vlerësuesi.
Danimarka ka lejuar përdorimin e kufizuar të internetit gjatë provimeve që nga viti 2008, në një përpjekje për të nxitur zhvillimin e dixhitalizimit në arsimin e mesëm.
Ministri i Arsimit, Matias Tesfaye, deklaroi se provat që po kryhen synojnë të gjejnë një ekuilibër të mirë mes botës analoge dhe dixhitale, duke përgatitur nxënësit për realitetin pas shkollës.
Përdorimi i inteligjencës artificiale do të jetë vullnetar dhe i aplikueshëm vetëm për drejtimin e përgjithshëm të shkollës së mesme, u saktësua nga Ministria.
© SYRI.net