Qyteti japonez i Toyoake në Prefekturën Aichi po shqyrton vendosjen e një limiti prej dy orësh në ditë për përdorimin e telefonave inteligjentë nga banorët, për shkak të shqetësimeve mbi ndikimin e teknologjisë në jetën e përditshme, raportoi Kyodo News.
Sipas projektligjit të përgatitur nga autoritetet lokale, nëse miratohet nga kuvendi vendor, rregullorja do të hyjë në fuqi më 1 tetor dhe do të jetë e para e këtij lloji në Japoni që vendos kufizime për pajisjet elektronike.
Një zyrtar i qytetit theksoi se qëllimi i këtij ligji është të nxisë banorët të reflektojnë mbi mënyrën se si përdorin telefonat inteligjentë, pa vendosur penalitete për ata që nuk respektojnë rregullat.
Drafti i rregullores rekomandon gjithashtu që nxënësit e shkollave fillore të ndalojnë përdorimin e telefonave deri në orën 21:00, ndërsa nxënësit e shkollave të mesme dhe të larta deri në orën 22:00.
Autoritetet pranojnë se telefonat inteligjentë, kompjuterët dhe tabletët janë mjete të nevojshme, por paralajmërojnë se përdorimi i tepërt i mediave sociale dhe përmbajtjeve video mund të ndikojë negativisht në shëndetin dhe marrëdhëniet familjare.
Ky nismë vjen në një kohë kur shqetësimet për ekspozimin e tepruar ndaj teknologjisë dhe ndikimet e saj në mirëqenien fizike dhe psikologjike të qytetarëve janë në rritje në Japoni.
Qyteti i Toyoake synon të krijojë një shembull për qytetet e tjera japoneze që mund të ndjekin politika të ngjashme për menaxhimin e përdorimit të pajisjeve elektronike.
Autoritetet lokale theksojnë se iniciativa ka karakter edukativ dhe informues, duke synuar ndërgjegjësimin e banorëve për përdorimin e shëndetshëm të teknologjisë.
© SYRI.net