Trump tërbohet pasi sulmet raketore të Putinit rrezikojnë shpresat për paqe

Trump tërbohet pasi sulmet raketore të Putinit rrezikojnë shpresat për paqe

11:34, 22/08/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Presidenti rus Vladimir Putin është tallur me përpjekjen e Donald Trump-it për paqe duke nisur një nga bombardimet më të mëdha kundër Ukrainës prej javësh, përfshirë goditjen e një fabrike amerikane.

Vetëm disa ditë pasi Trump i shtriu tapetin e kuq Putinit në Alaskë, Rusia uli pritshmëritë për një takim të shpejtë dypalësh me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Moska gjithashtu ka minuar perspektivën e garancive të sigurisë dhe ka vazhduar të kërkojë kontrollin e rajonit të Donbasit në Ukrainë.

Bombardimi gjatë natës nga Rusia ishte një goditje e veçantë për përpjekjen e Trump-it për paqe, duke vrarë nëntë persona dhe duke goditur një kompani amerikano-singaporeze në Ukrainën perëndimore, ku disa persona mbetën të shtruar në spital.

Zelensky shkroi se fabrika ishte thjesht një "ndërmarrje e zakonshme civile, një investim amerikan. Aty prodhoheshin artikuj të njohur shtëpiakë si ekpresë kafeje."

Sulmi, i cili sipas Ukrainës përfshiu 574 dronë rusë dhe 40 raketa, e shtyu Trump-in të bënte të enjten një postim disi të pazakontë që dukej se inkurajonte Zelensky-n të kalonte në ofensivë.

"Është shumë e vështirë, në mos e pamundur, të fitosh një luftë pa sulmuar vendin e pushtuesit," shkroi Trump në Truth Social.

"Është si një ekip i madh sportiv që ka një mbrojtje fantastike, por nuk i lejohet të luajë në sulm. Nuk ka asnjë shans për të fituar! Kështu është me Ukrainën dhe Rusinë. Joe Biden-i i korruptuar dhe jashtëzakonisht i paaftë nuk e lejoi Ukrainën të LUFTONTE, vetëm të MBROHEJ. E si i shkoi filli kësaj?"

Ky postim u pa si shenjë se durimi i Trump-it ndaj homologut të tij rus mund të jetë duke u sosur sërish, dy muaj pasi ai kishte pranuar se "Putin na thotë shumë broçkulla" dhe se "është gjithmonë shumë i sjellshëm, por veprimet flasin ndryshe."

Megjithatë, pas samitit të javës së kaluar në Alaskë dhe takimit të së hënës me liderët europianë, Shtëpia e Bardhë ishte sërish optimiste për një përparim.

Prej ditësh, zyrtarët amerikanë kanë këmbëngulur se një takim mes Putinit dhe Zelensky-t do të ndodhte së shpejti, dhe se garancitë e sigurisë për Ukrainën mund të hartoheshin në një formë që ta mbronin vendin nga agresioni i vazhdueshëm sapo të arrihej një marrëveshje.

Megjithatë, në komentet e tij të fundit të mërkurën, ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov deklaroi se çdo garanci sigurie për Ukrainën do të ishte pa kuptim pa përfshirjen e Rusisë.

Ai gjithashtu tha se Putini do të ishte i gatshëm të takohej me Zelensky-n vetëm nëse të gjitha çështjet "përgatiteshin me imtësi në të gjitha fazat paraprake për të siguruar që samitet të mos e përkeqësojnë situatën."

Lavrov lëshoi gjithashtu një kritikë të ashpër ndaj liderëve europianë pas samitit të së hënës në Washington, duke i akuzuar ata për përpjekje "të ngathëta" dhe joetike për të ndikuar qëndrimin e Trump-it mbi krizën në Ukrainë.

"Jam i sigurt se në Perëndim, dhe mbi të gjitha në Shtetet e Bashkuara, ata e kuptojnë shumë mirë se të diskutosh seriozisht për çështjet e sigurisë pa Federatën Ruse është një utopi, është një rrugë drejt askundit," tha ai në një konferencë për shtyp. / The Daily Beast - Syri.net

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco