Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka akuzuar Rusinë se po përpiqet të shmangë një takim shumë të nevojshëm me Presidentin Vladimir Putin për të gjetur një zgjidhje për luftën e nisur nga pushtimi rus në Ukrainë.
“Aktualisht, sinjalet e dërguara nga Rusia janë thjesht të pahijshme. Ata duan të shmangin organizimin e një takimi”, tha Zelensky në fjalimin e tij të përditshëm në rrjetet sociale.
Kreu i shtetit ukrainas theksoi se Ukraina po zhvillon takime intensive për të përcaktuar se çfarë garancish sigurie janë të gatshëm të ofrojnë aleatët ndërkombëtarë. Sipas tij, Shtetet e Bashkuara kanë shprehur mbështetjen për diskutimet që synojnë përfundimin e konfliktit ruso-ukrainas.
Detajet, sipas Zelenskyt, po përpunohen nga këshilltarët e sigurisë kombëtare dhe zyrtarët ushtarakë. Ai u shpreh se brenda 10 ditësh pritet të ketë më shumë informacion dhe të jetë i gatshëm për zhvillimin e bisedimeve të drejtpërdrejta me Presidentin rus Vladimir Putin, për herë të parë që prej nisjes së pushtimit.
© SYRI.net