Ekonomia gjermane u tkurr me 0.3% gjatë tremujorit prill-qershor, sipas shifrave të publikuara nga Zyra Federale e Statistikave. Ky rezultat është më i keq se vlerësimi fillestar prej -0.1% dhe vjen pas një periudhe të shkurtër rritjeje në fillim të vitit, kur kompanitë rritën eksportet drejt SHBA-së përpara hyrjes në fuqi të tarifave të vendosura nga Presidenti Donald Trump.
Zyra Federale e Statistikave theksoi se prodhimi industrial pati një performancë më të dobët se parashikimet, ndërsa konsumi familjar u ul në vetëm 0.1% për shkak të të dhënave të reja mbi shërbimet, veçanërisht në sektorin e akomodimit dhe ushqimit. Ndërkohë, investimet, ndërtimi dhe eksportet neto regjistruan gjithashtu rënie, ndërsa shpenzimet qeveritare u rritën me 0.8%.
Megjithatë, një tablo më optimiste erdhi nga të dhënat e PMI të S&P Global, të cilat treguan se aktiviteti i biznesit në gusht u rrit për të tretin muaj radhazi, megjithëse në një nivel ende modest. Ky optimizëm mund të lidhet me stimujt fiskalë të qeverisë gjermane, e cila ka miratuar një ndryshim në “frenin e borxhit” dhe ka krijuar një fond jashtëbuxhetor prej 500 miliardë eurosh për investime në infrastrukturë dhe mbrojtje.
Pavarësisht kësaj, tarifat amerikane po ushtrojnë presion mbi ekonominë gjermane. Ekonomisti i ING, Carsten Brzeski, paralajmëroi se me 10% të eksporteve gjermane që shkojnë në SHBA, tarifat e reja do të vazhdojnë të frenojnë rritjen, sidomos nëse taksat mbi automobilat mbeten në nivelin e lartë prej 27.5%.
Në terma vjetorë, PBB-ja e Gjermanisë u rrit me vetëm 0.2% në tremujorin e dytë, nga 0.3% që ishte regjistruar në tremujorin e parë. Kjo tregon se ekonomia më e madhe e Evropës po përballet me sfida serioze në ruajtjen e ritmit të saj ekonomik.
© SYRI.net