Hungaria ka shprehur sërish dëshirën për të pritur negociatat që synojnë arritjen e paqes mes Rusisë dhe Ukrainës.
Ministri i Jashtëm i vendit, Péter Szijjártó, deklaroi në një podcast, se oferta e Budapestit mbetet ende në fuqi.
“Hungaria është gati të ofrojë kushte të drejta dhe të sigurta për zhvillimin e bisedimeve të paqes. Do të ishim të lumtur nëse do të kontribuonim në suksesin e përpjekjeve paqësore,” theksoi Szijjártó.
Qytetet që po shqyrtohen
Sipas një zyrtari të administratës së Donald Trump, Shtëpia e Bardhë po e sheh kryeqytetin hungarez, Budapestin, si një opsion të mundshëm për një takim trepalësh mes presidentëve të SHBA-së, Rusisë dhe Ukrainës.
Shërbimet sekrete amerikane raportohet se tashmë po përgatiten për një takim në Hungari, një vend i Evropës Qendrore i drejtuar nga kryeministri Viktor Orbán, i cili ka ruajtur marrëdhënie të ngushta me Donald Trump që nga mandati i tij i parë në Shtëpinë e Bardhë.
Nga ana tjetër, presidenti francez Emmanuel Macron ka propozuar Gjenevën si vend takimi, duke theksuar neutralitetin tradicional të Zvicrës si element të favorshëm për zhvillimin e negociatave.
Ndërkohë, burime të afërta me Kremlinin kanë bërë me dije se presidenti rus Vladimir Putin është shprehur i hapur për një mundësi të tillë, por preferon që diskutimet të zhvillohen jashtë Evropës Perëndimore, me Turqinë ose Emiratet e Bashkuara Arabe si opsionet e tij më të pëlqyera.
© SYRI.net