Ministri i Jashtëm iranian, Abas Aragçi, deklaroi sot se fuqitë europiane nuk kanë të drejtë të aktivizojnë automatikisht rivendosjen e sanksioneve të parashikuara nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015, as të zgjasin afatin e tetorit për aktivizimin e saj.
Deklarata e tij erdhi pas takimit në korrik mes diplomatëve iranianë dhe përfaqësuesve të Gjermanisë, Francës dhe Britanisë së Madhe – tre vendet nënshkruese të marrëveshjes – takimi i parë pas përfundimit të luftës 12-ditore mes Izraelit dhe Iranit në qershor.
Konflikti ndërpreu bisedimet bërthamore midis Teheranit dhe SHBA-së, duke detyruar Iranin të ndërpresë bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA). Javën e kaluar, Gjermania, Franca dhe Britania paralajmëruan se janë të gatshme të përdorin mekanizmin për rivendosjen e shpejtë të sanksioneve nëse deri në fund të gushtit nuk arrihet një zgjidhje për programin bërthamor iranian.
Këto vende europiane, së bashku me Kinën, Rusinë dhe SHBA-në, kishin negociuar marrëveshjen e vitit 2015 që parashikonte kontroll mbi aktivitetet bërthamore të Iranit në këmbim të heqjes së sanksioneve ndërkombëtare. Megjithatë, SHBA-ja u tërhoq njëanshmërisht nga marrëveshja në vitin 2018 dhe rivendosi sanksionet, ndërsa tre vendet europiane mbajtën qëndrim përkushtues ndaj saj dhe synojnë të vazhdojnë negociatat me Iranin.
Evropianët akuzojnë Teheranin për mosrespektim të detyrimeve të tij dhe kërkojnë rifillimin e bisedimeve mbi programin bërthamor për shkak të shqetësimeve se Irani mund të ketë synime ushtarake, një pretendim që autoritetet iraniane mohojnë fuqishëm.
© SYRI.net