Malpensa/ Një 28-vjeçar i vë zjarrin dhe godet me çekiç sportelin e check-in, evakuohet Terminali 1

Malpensa/ Një 28-vjeçar i vë zjarrin dhe godet me çekiç sportelin e check-in, evakuohet Terminali 1

16:29, 20/08/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një 28-vjeçar nga Mali, me leje mbrojtjeje ndërkombëtare, ka shkaktuar panik në aeroportin e Malpensës, Milano. Ai ka hedhur lëng të ndezshëm mbi sportelin e check-in dhe më pas ka goditur me çekiç, duke detyruar evakuimin e Terminalit 1. Ky person, që jeton në Milano dhe ishte denoncuar një ditë më parë për dëmtimin me çekiç të një dyqani, është ndaluar nga policia.

Ngjarja ndodhi të mërkurën paradite, pak para orës 11:00, në zonën e nisjeve të T1. Thirrjet e para në numrin unik të emergjencës tregonin për një person në gjendje të rënduar nervore dhe për disa zhurma që ngjanin me të shtëna. Në realitet, i riu po përhapte lëng të ndezshëm mbi sportelin e check-in nr. 13 dhe e shkatërronte me çekiç.

Sipas autoriteteve, ai është shtetas i huaj, i lindur në Mali, me qëndrim të rregullt në Itali dhe leje mbrojtjeje ndërkombëtare deri në vitin 2027. Nuk ka precedentë penalë dhe do të përballet me akuzën për dëmtim të rëndë. Fatmirësisht, nuk ka të lënduar.

Zjarrfikësit e aeroportit arritën shpejt në vendngjarje dhe shuan flakët. Për shkak të tymit, u bë evakuimi i të gjithë terminalit, por aktiviteti i fluturimeve nuk u ndërpre dhe trafiku ajror vazhdoi normalisht. Pamjet e incidentit, të shpërndara nga udhëtarët, qarkulluan me shpejtësi në rrjete sociale.

 

Hetimet vazhdojnë për të kuptuar motivet e këtij veprimi. 28-vjeçari, që ndodhet në dhomat e sigurisë në Varese, pritet të dalë të enjten para gjykatës në Busto Arsizio për seancën e vlerësimit të arrestit.

Ndërkohë, policia ka rindërtuar edhe orët para incidentit: të martën ai ishte denoncuar në Milano pasi kishte thyer xhamat e një dyqani me çekiç, dhe më pas ishte dërguar për kontroll në spitalin Niguarda, prej nga ku u largua. Ende nuk dihet sesi arriti në Malpensa, ku të mërkurën, në mesditë, ndezi zjarrin dhe shkatërroi sportelin e check-in-it.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco