Sekretarja e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Christie Noem, njoftoi të martën se muri në kufirin SHBA–Meksikë po lyhet me ngjyrë të zezë, një masë që synon të vështirësojë ngjitjen e emigrantëve që përpiqen të kalojnë ilegalisht në territorin amerikan.
Në një konferencë për shtyp të mbajtur para murit në zonën Santa Teresa, New Mexico, Noem tha se ky veprim është ndërmarrë me kërkesë të Presidentit Donald Trump.
“Kur një sipërfaqe lyhet me të zezë, ajo mbledh më shumë nxehtësi dhe bëhet më e vështirë për t’u ngjitur” deklaroi ajo, sipas raportimit të Newsweek.
Ndërtimi i murit kufitar ishte një nga premtimet kyçe të fushatës së Donald Trump në vitin 2016. Gjatë mandatit të ish-Presidentit Joe Biden, puna në mur u pezullua në pjesën më të madhe, por me rikthimin e Trump në Shtëpinë e Bardhë në fillim të vitit 2025, politika e ndalimit të emigracionit ka marrë një drejtim më agresiv.
Presidenti Trump shpalli një emergjencë kombëtare në kufirin jugor, gjë që i dha autoritet të zgjeruar për të përshpejtuar ndërtimin dhe përforcimin e murit, si dhe për të zbatuar masa më të ashpra kundër imigracionit të paligjshëm.
Ekspertët shpjegojnë se ngjyra e zezë thith më shumë nxehtësi, veçanërisht në klimën e nxehtë të jugut amerikan. Kjo rrit temperaturën e sipërfaqes së murit, duke e bërë ngjitjen më të rrezikshme dhe të dhimbshme për çdo individ që tenton të kalojë përmes tij.
Ky veprim po konsiderohet një masë parandaluese jo konvencionale, ndërsa grupet për të drejtat e njeriut paralajmërojnë për rreziqe të mundshme ndaj jetës së emigrantëve, veçanërisht gjatë muajve të verës.
© SYRI.net