Rregullatorët amerikanë kanë paralajmëruar konsumatorët që të mos konsumojnë apo të mos shërbejnë karkalecë të ngrirë të markës Great Value, pasi tek disa prej tyre është zbuluar izotopi radioaktiv Cesium-137, i cili mund të shkaktojë rrezik të shtuar për kancer.
Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) njoftoi se produktet e shitura nga Walmart janë tërhequr nga tregu pasi doganat amerikane zbuluan kontaminim në kontejnerët e furnitorit në portet e Los Anxhelosit, Hjustonit, Savannah dhe Majamit.
Produktet e tërhequra nga tregu janë:
• Great Value frozen raw shrimp, lot code: 8005540-1, Best by Date: 15/03/2027
• Great Value frozen raw shrimp, lot code: 8005538-1, Best by Date: 15/03/2027
• Great Value frozen raw shrimp, lot code: 8005539-1, Best by Date: 15/03/2027
FDA ka bërë thirrje për konsumatorët që kanë blerë karkalecë të këtij lloji t’i hedhin menjëherë dhe të mos i konsumojnë.
Testimet laboratorike të FDA konfirmuan praninë e Cs-137 edhe në një mostër të karkalecëve të përpunuar nga furnitori indonezian PT. Bahari Makmur Sejati (BMS Foods). Si pasojë, është ndaluar importi i produkteve të kësaj kompanie në SHBA.
“Shëndeti dhe siguria e klientëve tanë është gjithmonë prioritet. Ne kemi pezulluar shitjet dhe kemi hequr produktin nga dyqanet tona të prekura,” tha një zëdhënës i Walmart.
Hetimet mbi shkakun e kontaminimit po vijojnë, ndërsa autoritetet doganore amerikane po bashkëpunojnë me agjencitë rregullatore të detit në Indonezi.
© SYRI.net